Një nga 17 zyrtarët e arrestuar se lejuan ndërtime pa leje në zonën e Manzës së Durrësit dhe Shijakut ka pasur probleme shëndetësore.
Bëhet fjalë për Agim Osmanin i cili është ndjerë keq gjatë seancës gjyqësore, ku do të vendosej masa e sigurisë ndaj tij dhe të arrestuarve të tjerë.
Kështu ai është dërguar me urgjencë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Gjatë së enjtes së 9 janarit u arrestuan 17 zyrtarë të cilët akuzohen se lejuan ndërtime pa leje në zonën e qytetit bregdetar, të Manzës dhe Shijakut, zonë e goditur nga tërmeti i 26 nëntorit.
Drejtoria Rajonale e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Durrës, në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë Durrës, finalizoi operacionin e koduar “ABUZUESIT”, në funksion të procedimit penal të nisur në vitin 2019 për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës“ për një sërë zyrtarësh policorë, inspektorë vendor, përfaqësues të pushtetit lokal e ndërtues.
Pas një hetimi disa mujor, duke aplikuar metoda speciale u dokumentua me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme e subjekteve të këtij procedimi, të cilët duke keqpërdorur atributet që u jepte detyra dhe funksioni, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por dhe me shtetas të tjerë, kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ndërtim të paligjshëm, në bashkëpunim”.
Subjektet e këtij procedimi penal, kryenin funksione publike në Policinë e Shtetit, nëpunës të Njësive Administrative, IKMT-ve dhe INUV-it në Durrës, Shijak dhe Manzë.
Shpërdorimi i detyrës dhe veprimtaria e kundraligjshme e këtyre subjekteve dyshohet se është shtrirë përgjatë vitit 2019 në vende dhe kohë të ndryshme.
Veprimet dhe mos-veprimet e tyre konsistojnë në favorizime të ndërtimeve pa leje, falsifikime dokumentesh, fshehje dhe manipulim të ngjarjeve, pengimin e zbulimit të së vërtetës dhe fakteve kriminale, mos-raportime të ngjarjeve kriminale, mos evidentim të kallzimeve të shtetasve sipas detyrimeve ligjore etj.
Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe duke abuzuar me kompetencat e ushtrimit të detyrës, dyshohet se kishin krijuar një mekanizëm korruptiv me qëllim përfitimin edhe në vlera monetare, i cili ka mundësuar dhe sjellë si pasojë ndërtime të shumta të paligjshme si objekte banimi, magazina, objekte biznesi etj., duke shmangur kështu zbatimin e legjislacionit në fushën urbanistike dhe sigurimit teknik të tyre.
Mbështetur në provat dhe faktet e grumbulluara dhe administruara gjatë hetimeve, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës me vendimin e datës 9 janar 2020, caktoi masat e sigurimit personal, të cilat u ekzekutuan në orët e mbrëmjes nga SHÇBA dhe Policia e Shtetit:
“Arrest në burg” për Komisar Besnik Domi, me detyrë Shef i Rendit në Komisariatin e Policisë Shijak, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
“Arrest në burg” për Nënkomisar Sami Xhafa, me detyrë Shef i Stacionit të Policisë Manzë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
“Arrest në burg” për Nënkomisar Ermal Petova, me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve/OPGJ, në Stacionin e Policisë Manzë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
“Arrest në burg” për Nënkomisar Nikoll Marku, me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve/OPGJ, në Stacionin e Policisë Manzë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
“Arrest në burg” për Inspektor Agim Osmani, me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Durrës, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
“Arrest në burg” për Inspektor Dëshir Dakoli, me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Durrës, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
“Arrest në burg” për Inspektor Gani Dama, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Durrës, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, person i shpallur në kërkim;
“Arrest në burg” për Inspektor Haxhi Sherra, me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Shijak, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
“Arrest në burg” për Inspektor Petrit Neziri, me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Stacionin e Policisë Manzë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
“Arrest në burg” për Inspektor Ndriçim Shika, me detyrë ndihmës specialist/SPZ, në Komisariatin e Policisë Shijak, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
“Arrest në burg” për shtetasin Gjergj Greco, me detyrë Sekretar i Njësisë Administrative Sukth, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
“Arrest në burg” për shtetasin Jul Kacadej, me detyrë specialist në IMT Shijak, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
“Arrest në burg” për shtetasin Marjus Shahini, me detyrë Kryeinspektor i IMT Shijak, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
“Arrest në burg” për shtetasin D.K. posedues dhe zhvillues i objektit të ndërtimit pa leje, i dyshuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
“Arrest në burg” për shtetasit P.M., posedues dhe zhvillues i objektit ndërtimit pa leje, i dyshuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
“Arrest në burg” për shtetasin Gj.Z., posedues dhe zhvillues i objektit ndërtimit pa leje, i dyshuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
“Arrest në burg” për shtetasin Adem Lika, posedues dhe zhvillues i objektit ndërtimi pa leje, i dyshuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
“Arrest në burg” për shtetasin Q.D., posedues dhe zhvillues i objektit ndërtim pa leje, i dyshuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
“Pezullim nga detyra” për shtetasin A.N., me detyrë specialist i Armatimit në DVP Durrës, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Hetimet e këtij procedimi penal vazhdojnë deri në dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundraligjshme të këtyre subjekteve dhe të subjekteve të tjerë, të cilët janë përfshirë në këtë veprimtari. Nga Prokuroria e Durrësit është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i përbërë naga Prokurorë dhe hetues të Drejtorisë së Hetimit të SHÇBA.
/a.r