Me marrjen zyrtarisht të kryesimit të OSBE-së, kryeministri Rama do të nisë edhe vizitat në varësi të axhëndës. Mësohet se vizita e parë e Edi Ramës do të jetë në Kiev të Ukrainës.
Ambasadori i Ukrainës në OSBE, Yevhenii Tsymbaliuk shprehu vlerësimin e tij për marrjen e kryesimit të kësaj organizate nga Shqipëria për 2020, ndërsa tha kjo vizitë mund të zhvillohet më 20-21 janar 2020.
“Ne vlerësojmë që vizita e parë e kryesuesit të OSBE do të bëhet ne Ukrainë dhe shpresojmë që do jetë më 20 -21 janar të këtij viti. Këtu në Vjenë kemi zhvilluar kontakte dhe konsulta shumë produktive mes nesh dhe Shqipërisë dhe këto konsultime do të zhvillohen çdo javë në zyrat e OSBE për të diskutuar pikat që janë në axhendë. Janë rritur kontaktet mes Ukrainës dhe Shqipërisë dhe shpresojmë që këtë vit të hapim edhe ambasadën e Ukrainës në Shqipëri për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet” u shpreh Tsymbaliuk.
Ndërkaq, ai vlerësoi prioritetet që kryeministri Rama paraqiti gjatë mbajtjes së konferencës për marrjen e kryesimit të OSBE. Tsymbaliuk tha se mbrojtja e sovranitetit të në vendi është i rëndësishëm, sidomos për Ukrainën e cila ndodhet vazhdimisht nën presionin e Rusisë.
I pyetur se cilat janë pritshmëritë e Ukrainës gjatë kryesimit të Shqipërisë në OSBE, Tsymbaliuk u shpreh se Shqipëria gjatë kryesimit të OSBE mund të ndihmojë në implementimin e marrëveshjeve të arritura në samitin e Parisit.
Ai tha se brenda vitit 2020 shpreson që të hapet edhe ambasada e Ukrainës në Shqipëri për të forcuar edhe më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve. /e.s/