Vodafone Albania, Fondacioni Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Bashkia Tiranë, nënshkruan sot me datë 09 Janar 2020, një Marrëveshje Mirëkuptimi, si hap të parë të bashkëpunimit, për rijetësimin dhe transformimin e Piramidës në qendrën më të madhe rajonale të inovacionit dhe arsimit dixhital, për të rinjtë e moshës nga 12 deri në 24 vjeç.
AADF dhe Bashkia Tiranë kanë marrë përsipër realizimin e transformimit të Piramidës, në një qendër shumëfunksionale, për të mbështetur zhvillimin e aktiviteteve, për promovimin e sipërmarrjes, teknologjisë, artit dhe kulturës në Tiranë.
Vodafone u bashkohet kontribuesëve kryesorë të këtij projekti, duke ofruar të gjitha mjetet dhe ekspertizën e nevojshme, për të mundësuar një ekosistem dixhital, ku të rinjtë mund të mësojnë dhe të provojnë teknologjitë e fundit, si dhe të jenë të përgatitur për të qenë pjesë e revolucionit të 4-ët industrial.
Përfaqësues të lartë nga Vodafone, Fondacioni Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim dhe Bashkia Tiranë zhvilluan një konferencë për shtyp për të njoftuar bashkëpunimin për këtë projekt të rëndësishëm, jo vetëm për Shqipërinë por dhe gjithë rajonin.
Drejtoresha e Përgjithshme për Vodafone Europe, znj. Serpil Timuray, e cila vizitoi Piramidën dhe ishte e pranishme në ceremoninë e firmosjes së marrëveshjes, u shpreh:
“Jam shumë e lumtur që Vodafone do të jetë pjesë e transformimit dixhital të Piramidës, projekt i cili është një dëshmi e ritmit të shpejtë me të cilin Shqipëria po rend drejt së ardhmes emocionuese. Shoqëria dixhitale do të kërkojë aftësi dhe profesione që nuk i kemi njohur më parë. Vodafone nuk ofron vetëm teknologjinë që mundëson realizimin e shoqërisë dixhitale, por po kontribuon edhe në rritjen dhe qendrueshmërinë e saj duke mbështetur gjeneratën e re të inovatorëve”.
Drejtori i Përgjithshëm i Vodafone, z. Achilleas Kanaris, deklaroi: “Jam shumë entuziast për këtë projekt dhe këtë partneritet. Angazhimi i Vodafone në transformimin dixhital të Piramidës është jo vetëm për të treguar se çfarë mundësojmë ne përmes teknologjisë, por edhe sesi ta shfrytëzojmë atë për të sjellë inovacion në vend. Nëpërmjet kësaj qendre do t’i ofrojmë të rinjve të këtij vendi mundësinë që të shpalosin dhe zhvillojnë talentin e tyre në teknologji”.
Drejtorët e Përgjithshëm të AADF, z. Martin Mata dhe z. Aleksandër Sarapuli, si dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Arbjan Mazniku, treguan më shumë detaje mbi zhvillimin e këtij projekti.
Z. Mata u shpreh se Fondacioni Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim ka si mision të saj krijimin e modeleve të zhvillimit të qëndrueshëm. AADF i ka dorëzuar Bashkisë së Tiranës projektin arkitektonik dhe inxhinierik të Piramidës dhe modelin e biznesit, me qëllim që funksionimi i saj të jetë i qëndrueshëm financiarisht. Risia që AADF sjell është qendra TUMO Tirana, e cila do të pajisë fëmijët me dijet dhe aftësitë e shek. 21 në fushën e edukimit dixhital duke përfshirë programim, robotikë, produksion filmi, krijim website-i, muzikë, shkrim, modelim 3D, programim, etj., duke orientuar fëmijët si të mësojnë dhe të përdorin teknologjinë në nivele bashkëkohore.
Në fjalën e tij, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Mazniku theksoi: “Asnjë projekt i madh nuk merr jetë pa kiminë e duhur dhe besoj se hap pas hapi ne po krijojmë ekipin tonë, që ta shndërrojmë Piramidën e Tiranës në qendrën kryesore të teknologjisë informatike dhe dixhitale në rajon, që do të ketë dhe një pamje spektakolare, nën përkujdesjen e MVRDV. Brenda këtij viti do të kemi një garë për të filluar punimet. Dhe sërish tani mezi pres që Bashkia e Tiranës, me Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe me Vodafone t’i japin formë dhe jetë, një hapësire të lënë deri tani pa funksion”.