Policia Rrugore gjatë 24 orëve të fundit në Tiranë, Durrës, Berat, Fier, Fushë-Krujë dhe Lezhë ka pezulluar 75 leje drejtimi, për shpejtësi tej normave të lejuara, të konstatuara nga 6 radarë, 4 nga të cilët “Trucam”.
“TruCam” arrin që të kthejë me video momentin e shkeljes rrugore në raste kundërshtimi të masës administrative të shoferit. Gjithashtu janë vendosur edhe shumë gjoba.
Për tejkalim të shpejtësisë janë vendosur 105 masa administrative, matur me radar, kryesisht në rrugët urbane. Gjatë kontrolleve janë përdorur edhe aparatet alkooltestues drager. Si rezultat i kontrolleve janë pezulluar 14 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, si dhe janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues automjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Masat e policisë rrugore
243 masa administrative për parakalime dhe manovra të gabuara në rrugë;
230 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;
647 masa për parkime të gabuara;
74 masa për mosvendosje të rripit të sigurisë;
40 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse;
28 masa për mungesë siguracioni;
443 masa për shkelje të ndryshme.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve, në 24 orët e fundit janë goditur 2 raste të mitëdhënies nga Policia Rrugore e Tiranës, si edhe një rast i qarkullimit me armë në mjet, nga Policia Rrugore e Lezhës. /e.s/