Pas krimit që djali i shtëpisë kreu, duke vrarë nusen e xhaxhait, familja e 16-vjeçarit Luis Saliaj nga fshati Gjerbës i Mallakastrës, është larguar nga shtëpia.
Nëna e adoleshentit ka ikur nga shtëpia, duke u druajtur për atë që mund të ndodhë pasi i biri vrau kunatën, ndërsa i shoqi i saj ndodhet në burg.
Ky largim vjen pasi familja e të dyshuarit është shumë afër me atë të viktimës, ndërsa edhe më herët dy familjet kanë pasur mosmarrëveshje.
Si të dyshuar për krimin u bë arrestimi i nipit të burrit të viktimës, Luis Saliaj, 16 vjeç, banues në Gjerbës dhe e dy shokëve të tij Sindi Shehaj, 16 vjeç, banues në Çërrillë, dhe Ervis Zotaj, 26 vjeç, banues në Gjerbës, Mallakastër.
50-vjeçarja Drita Saliaj, u gjet e vdekur gjatë së martës në rezervuarin e fshatit Gjerbës në Mallakastër.
Viktima e cila do të përcillet në banesën e fundit gjatë ditës së sotme, u sulmua në banesën e saj mbrëmjen e 5 janarit, nga nipi i burrit dhe dy shokët e tij, të cilët kishin shkuar për të grabitur, ndërsa ndodhej vetëm në banesë, pasi burrin e kishte në emigrim.
Teksa nuk e dinin se ndodhej në banesë, ata janë përballur me të zonjën e shtëpisë, të cilën e kanë dhunuar, e kanë lidhur me shall dhe e kanë hedhur në rezerrvuarin e fshatit.
Policia e Fierit tha zyrtarisht se në orët e para të mëngjesit të së martës, në Komisariatin e Policisë Mallakastër janë paraqitur familjarët e Drita Saliaj, 50 vjeçe, të cilët denoncuan largimin e saj nga banesa.
Pas marrjes së denoncimit, efektivët e policisë organizuan punën dhe në kohë rekord zbardhën ngjarjen.
Pas hetimeve të kryera rezultoi se djali i vëllait të burrit të viktimës, në bashkëpunim me dy shokë të tij, në datën 5 janar kanë shkuar për të vjedhur në banesën e 50-vjeçares dhe pas rezistencës të hasur nga kjo e fundit, e kanë hedhur në rezervuarin e fshatit Gjerbës.
Në vijim të punës për zbardhjen e plotë të ngjarjes, nga shërbimet e policisë Mallakastër dhe Polumbarët e Repartit Special Renea u gjet në rezervuar trupi i pajetë i saj.
/a.r