Shtyhet për në datë 20 janar seanca për anëtarin e KLP-së, Besnik Cani në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, për të cilin Komisioneri Publik kërkoi që të shkarkohet, pavarësisht se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi. Relatorja e seancës njoftoi se në 7 janar, pra ditën e djeshme, Besnik Cani paraqiti një kërkesë për shtyrjen e seancës, për t’i dhënë kohë përgatitje avokatit të tij, që është Eduart Halimi, ish-ministër i Drejtësisë në kohën e Sali Berishës. “Kam komunikuar me z.Halimi. Ai ndodhej jashtë vendi për festat dhe kthehet në vend pas datës 9 janar. Ndërkohë dje xhaxhai im ka ndërruar jetë dhe kërkoj mirëkuptimin tuaj, që të jem prezent në ceremoninë e fundit të tij” shprehej Cani. Kolegji ka pranuar kërkesën duke e shtyrë seancën për në datë 20 janar.
Prokurori Besnik Cani u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në nëntor të vitit 2018, pavarësisht disa problematikave të konstatuara sa i përket kriterit të aftësisive profesionale si dhe dyshimeve sa i takon etikës. Më pas, Cani u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Por, përfaqësues nga SHBA-BE në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, në janar të 2019, i rekomanduan Komisionerit Publik që të kërkonte rrëzimin e vendimit të KPK-së në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Në rekomandimin e ONM, përpos të tjerave, theksohet se prokurori Cani ka tentuar të përfitojë një kredi të butë në Bashkinë e Fierit, ndërsa nuk ka hetuar ish-krybashkiakun e Fierit Baftjar Zeqo si dhe disa tendera të dyshuar si abuzivë në Elbasan.
Në shkurt të 2019, Komisioneri Publik pranoi rekomandimin e ONM-së, ndërsa i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit shkarkimin e anëtarit të KLP-së Besnik Cani nga detyra, duke ngitur disa pretendime sa i takon pasurisë, aftësive profesionale dhe etikës. Sipas Komisionerit ‘përfitimi jashtë kritereve ligjore të statusit të pastrehë i familjes së subjektit, në qytetin e Fierit, ndërkohë që ky i fundit ushtronte funksionin e drejtuesit të Prokurorisë në këtë qytet, që po hetonte të njëjtët subjekte shtetërore për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh në trajtimin e familjeve me kredi të buta, është rrjedhojë e përfitimit të padrejtë për shkak funksioni dhe bie ndesh me përmbushjen e standardeve të etikës profesionale./shqiptarja.com
g.kosovari