Burime të shumta nga Iraku kanë raportuar hedhje raketash pranë ambasadës amerikane në Bagdad, si dhe tri të tjera te një bazë ushtarake, 80 km pranë kryeqytetit irakian, ku qëndrojnë trupat amerikane.
Të paktën dy raketa janë dëgjuar të shpërthejnë pranë ambasadës, brenda Zonës së Gjelbër, e cila mbahet nën kontroll të rreptë sigurie, sipas Sky News Arabia.
Tri raketa të tjera mendohet se janë hedhur në Bazën Ajrore Balad, ku ndodhen trupat amerikane, 80 km në veri të qytetit, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Dy prej këtyre raketave Katjusha kanë shpërthyer në brendësi të bazës ajrore. Mbetet ende për t’u konfirmuar se sa trupa amerikane kanë qenë aty në atë çast.
Nuk ka pasur raportime për të lënduar.
Tensionet midis SHBA-ve dhe Iranit u shtuan pasi gjenerali më i madh iranian, Kasem Sulejmani, u vra nga një sulm me dron në makinën e tij. Irani premtoi se do të hakmerrej, ndërkohë që presidenti Trump tha se Sulejmani kishte vrarë shumë amerikanë dhe po planifikonte të vriste dhe të tjerë, dhe se Irani s’ka fituar asnjë luftë, por s’ka humbur në asnjë negociatë.
Ndërkohë, shtetasve amerikanë u është kërkuar të largohen nga Iraku dhe SHBA-të kanë dërguar 3000 trupa shtesë në Lindjen e Mesme, kryesisht në Kuvajt.
/a.r