Jo rrallëherë, zyrtarët shtetërorë janë kritikuar për luksin që kanë treguar, derisa sipas Bankës Botërore mbi 20 për qind e qytetarëve jetojnë në varfëri, me më pak se dy euro në ditë.
Me një grusht parash është shfaqur së fundmi duke u argëtuar zyrtarja për arsim në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Burbuqe Thaqi – Matoshi, raporton KTV.
Në këtë video, ajo shihet e shoqëruar edhe nga bashkëshorti i saj, Fatmir Matoshi i cili është ministër në detyrë i Mjedisit.
Televizioni nuk ka mundur të vihet në kontakt me Thaqi – Matoshin, por ministri në detyrë i Mjedisit ka thënë se paratë që shihen në këtë video janë personale.
Matoshi ka pranuar se videoja është bërë të enjten dhe ka thënë se ka qenë shaka ndërmjet miqve të tij.
Bashkëshortja e ministrit Matoshi është punësuar në Ministrinë e Diasporës në korrikun e vitit të kaluar.
Për veprime luksi, në nëntorin e kaluar u bë lajm edhe një fotografi e cila shfaqte ministrin në detyrë të Tregtisë, Endrit Shala, në një diskotekë me një numër të madh pijesh para vetes.
Shala kishte thënë se fotografia ku shihet bashkë me djalin e Fatmir Limajt, Durim Limajn, është realizuar 4-5 vjet më herët.
Gjithashtu, bazuar në raportimet e Kohës Ditore, zyrtarët publikë në vetëm 2 vjet të qeverisjes kanë harxhuar mijëra euro në dreka, darka dhe udhëtime zyrtare.
Vetëm Durim Limaj, që është këshilltar i lartë politik në MTI, ka harxhuar 30 mijë euro në udhëtime zyrtare, kurse i gjithë stafi politik i kësaj ministrie i ka shpenzuar mbi gjysmë milioni euro./KTV
g.kosovari