Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin për të shtyrë vlefshmërinë e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit. Vendimi i marrë së fundmi rrëzon vendimin e marrë më 12 qershor kur u vendos se “formati ekzistues i pasaportës diplomatike dhe shërbimit është i vlefshëm deri në datën 31 dhjetor 2020”. Me vendimin e ri ky afat është shtyrë deri më 31 dhjetor të 2021.
Pika 14 ishte më e kundërshtuara ku parashikohej se: “Subjektet, që janë pajisur me pasaporta diplomatike apo shërbimi përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, kanë të drejtë të përdorin pasaportat përkatëse deri në datën 31 dhjetor 2019.”
Me vendimin e ri është ndryshuar: “Subjektet, që janë pajisur me pasaporta diplomatike apo shërbimi përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, kanë të drejtë të përdorin pasaportat përkatëse deri në datën 31 qershor 2020.”
Më herët, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kundërshtoi gjyqësisht vendimin e qeverisë për heqjen e pasaportave diplomatike me pretendimin se po cënohej statusi i gjyqtarëve dhe se VKM-ja e datës 12 qershor 2019, sipas gjyqtarëve, ishte e paligjshshme. Gjithsesi, ankimimi i Shoqatës u rrëzua në Gjykatën Administrative, por së fundmi është Qeveria që ndërhyn për të shtyrë afatin e përdorimit.
Gjyqtarët janë vetëm një prej kategorive që pajisen me pasaporta diplomatike dhe shërbimi, ashtu si pjesa më e madhe e funksionarëve publikë.