Nga Ben Andoni
Nëse Shqipëria nuk do të goditej në Vjeshtë nga dy tërmete fizike, atëherë për opinion-bërësit do të ishte e vështirë të ndahej se cilët kishin qenë realisht ngjarjet më kulmore të vendit. Gjithsesi, kujtuam se piku i vitit arriti në Vjeshtën e dytë, kur Shqipëria mori një goditje të madhe nga BE në Tetor, koha kur Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut iu pezulluan edhe njëherë shpresat për Hapjen e Negociatave. Deri më atëherë e gjithë energjia qeverisëse dhe propaganda e saj shkoi në përfundimin e këtij vendimi. Arsyetimi disi i ndarë i Këshillit të Evropës për të dy vendet, por vendimi i njëjtë shkaktoi një shok në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, ku shpresat ishin të mëdha nga të gjithë përveç opozitave respektive dhe kundërshtarëve të proceseve integruese, kinse individëve të pavarur.
Pas këtaj, sikleti më i madh i politikanëve s’ishte me atë se çfarë do i prezantonin këtej e tutje njerëzve, por ishte me opozitën dhe pohimet e saj, që vendimi ishte i marrë prej kohësh negativisht. Që nga shkurti, ndërkohë, filluan protestat antiqeveritare të partive opozitare , Partisë Demokratike (PD), Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) dhe partive satelite të Demokratëve. Kulmi arriti pak ditë më vonë me djegien e mandateve, një element që e shkatërroi këtë legjislaturë moralisht, por që e futi në një rrugë gati pa krye PD-në dhe shpurën e vet. Pavarësisht se leja për të filluar u mor unanimisht nga Këshilli Drejtues i PD-së, rrugës do kuptohej se dakordësimi i partive të tjera ishte bërë i sforcuar dhe nga inercia. Retorika e zotit Basha, zonjës Kryemadhi ishte shumë e ashpër, po kaq dhe e aleatëve të tyre, por gjithsesi, nuk çoi asgjëkundi. Madje më keq, parlamenti u mbush deridiku në vendet vakant me deputetët e listave të këtyre partive duke e shtrirë krizën brenda tyre me një përçarje të frikshme. Retorika e tyre ishte luftarake-religjioni dhe patetike por duket se ia zgjati më shumë jetën në pushtet kryeministrit, që pas tollovisë së fillimit dhe goditjes nga indikacionet në ekonomi pritej me logjikë të linte vend për zgjedhjet e parakohshme.
Kryeministri Rama do të mbahet mënd për Kultin e Individit dhe propagandën e lodhshme që e ka bërë shumë bajat dhe në disa raste gati personazh humori.
Ashtu si ishte në kalendarin zgjedhor, viti 2019 ishte viti i Zgjedhjeve Lokale, por presidenti i vendit e la datën e tyre në cakun e fundit, mu aty ku nuk mund të negocioheshin më!! Hilja ndaj Ramës funksionoi shëmtuar, por nga ky moment, Ilir Meta do të ishte kundërshtari i vërtetë i kryeministrit të vendit. Në një përpjekje të kotë, 20 ditë para 30 Qershorit, Ilir Meta, zyrtarizoi shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet vendore në Shqipëri, që ishin caktuar të mbaheshin më 30 qershor. Një gjysmë muaji më vonë, në një periudhë totale amullie politike dhe përplasje boshe Rama-Basha, Ilir Meta, dekretoi 13 Tetorin për organizmin e zgjedhjeve vendore, datë e cila nuk u mbështet nga partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë. Ky dekret nuk u zbatua për të mos thënë u injorua nga shumica e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), por për fat të keq dhe të opozitës, që vetëm në fund u kujtua ta mbështeste.
Retorika e ndarë politike u shtua pas rezultatit të Zgjedhjeve Lokale, ku kuptohet se pothuaj të gjitha bashkitë shkuan për të Majtën, pasi garoi e vetme me satelitët e saj dhe pak parti që nuk mund të ngrinin peshë. Pa u tharë boja e firmës për përfundimin e tyre, opozita gjeti dokumentacione kompromentuese për dy kryebashkiakë që u dorëhoqën sakaq. Ndërkohë Ilir Meta vazhdoi konfliktin me kryeministrin, që u shty shumë dhe nga zyra e tij e shtypit e cila përdori një gjuhë aspak normale. Në të njëjtën gjatësi vale ishte kryeministri Rama dhe njerëzit e tij.
Qysh në fillim të vitit, Meta i ktheu propozimin e kryeministrit Edi Rama për ministrin e ri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj, pasi “nuk i plotësonte kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin me objektivitet dhe në lartësinë e kërkuar të detyrës së ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme”. Sapo Rama mori postin e Ministrit të Jashtëm ia delegoi atë menjëherë Cakajt, që tashmë mban kompetencat e drejtimit të këtij institucioni.
Kulmi i përballjes politike që e sfumoi krejt opozitën tashmë të rrëgjuar nga protesta të pafundme që filluan dhunshëm dhe mbaruan duke u fashitur ishte 8 korriku, kur Kuvendi i Shqipërisë miratoi ngritjen e komisionit hetimor mbi kërkesën e Partisë Socialiste për shkarkimin e presidentit të vendit, Ilir Meta. Arsyetimi ishte i thjeshtë: dekreti për anulimin e zgjedhjeve vendore ishte në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese.
Dhe, kryesorja por më e lodhshmja Reforma në Drejtësi. U betuan anëtarët e parë të Kushtetueses përmes problematikave dhe paradokseve që nuk kanë mbaruar, ndërsa në ditët e fundit kanë filluan punë dhe anëtarët e parë të SPAK, që zgjodhën dhe drejtuesin e tyre. Edhe ky i fundit me probleme prej një segmenti kohor, që kishte shërbyer në Socializëm. Së fundi, më 5 dhjetor, Kuvendi i Shqipërisë zgjodhi në detyrën e prokurorit të ri të Përgjithshëm të vendit, Olsian Çelën, personalitet i cili zëvendëson kryeprokuroren e përkohshme Arta Marku. Tashmë, ai drejton për një mandat 7–vjeçar dhe pa të drejtë riemërimi.
E fundit, por që ishte e para, mbeti ngjarja që lidhet me tërmetin e fuqishëm që goditi Shqipërinë, i cili përveçse la 51 persona të vdekur dhe qindra të plagosur, shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme materiale. Një tjetër tërmet, disi më i lehtë në shtator dha shenja, që u injoruan në masë nga shqiptarët dhe përcolli pasoja që ishin katastrofale, kur ndodhi ai në Nëntor. U dëmtuan qindra pallate, shtëpi, monumente kulturore, shkolla, objekte të institucioneve, ndërsa vendi u godit edhe vazhdon e goditet nga disa tërmete të tjera, që nuk po dinë të ndalen ende.
Nëse të gjitha problematikat janë të madha, ajo që lidhet me Tërmetin është e frikshme, sepse ende nuk kemi një pasqyrë reale të dëmit të krijuar. I vetmi lajm i mirë i fundit është një konferencë donatorësh në janar ose shkurt të vitit 2020 por që parashikimet nuk janë aspak të mira.
Të gjitha këto të bëjnë të mendosh se Shqipëria po e nis 2020 e kërrusur nga problematika shumë të madha dhe mbi të gjitha nga bjerrja e vazhdueshme e besimit. (Homo Albanicus)