Shpërndarja e bonusit për pensionistët nisi që ditën e djeshme. Të gjithë përfituesit e bonusit, mund të tërheqin 3 mijë lekëshin në çdo pikë të Postës Shqiptare me një mjet identifikimi me vete. Zyrat postare do të qëndrojnë të hapura deri në datën 31 dhjetor, ku i jep mundësinë çdo pensionisti të tërheqë shpërblimin e qeverisë. Këtë gjë e njoftoi ditën e djeshme Instituti i Sigurimeve Shoqërore, i cili përmes një njoftimi në rrjetin social bëri me dije se vetëm dje kanë tërhequr shpërblimin e festave të fundvitit rreth 46 mijë persona. “Vazhdon shpërndarja e shpërblimit prej 3,000 lekësh për pensionistët. Deri në orën 12:00, të ditës së sotme (dje), e kanë tërhequr këtë shpërblim 46, 401 persona. Sportelet e Postës shqiptare sha do të jenë të hapura deri në datën 31 dhjetor, në mënyrë që të gjithë pensionistët të tërheqin shpërblimin për festat e fundvitit”, thuhet në njoftimin e ISSH.
Grafiku i shpërndarjes
Po ashtu, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka publikuar edhe grafikun e shpërndarjes së bonusit, ku i jep një ndihmë çdo përfituesi. Dje ISSH ripublikoi datat e tërheqjes së bonusit. Sot do të ketë mundësi që të tërheqin shpërblimin të gjithë ata pensionistë të cilët kanë tërhequr pensionin në datën 6-9 dhjetor. Në datën 27 shpërblimin do të mund ta tërheqin të gjitha ata që kanë tërhequr pensionin në datën 10-13 dhjetor, ndërsa ata që kanë tërhequr pensionin në datën 14-16 dhjetor do të tërheqin bonusin në datën 28 dhjetor.
Ditën e hënë në datë 30 dhjetor do të kenë mundësi të tërheqin bonusin të gjithë ata që kanë tërhequr pensionin në datën 17-20 dhjetor, ndërsa për të gjithë ata pensionistë që e kanë tërhequr pensionin në datën 21-24 dhjetor do të kenë mundësi të tërheqin shpërblimin e fundvitit në datën 31 dhjetor.
“Në datën 25 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 1-5 dhjetor; Në datën 26 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 6-9 dhjetor; Në datën 27 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 10-13 dhjetor; Në datën 28 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 14-16 dhjetor; Në datën 30 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 17-20 dhjetor; Në datën 31 dhjetor do të tërheqin shpërblimin pensionistët që tërheqin pensionin në këtë datë dhe ata që e kanë tërhequr pensionin në datën 21-24 dhjetor”, thuhet në njoftimin e ISSH.
Tërheqja në 2020
Por Instituti i Sigurime Shoqërore ka dhënë më tepër detaje edhe për ata pensionistë të cilët nuk mund ta tërheqin brenda këtij viti. Pensionistët nuk e humbasin shpërblimin e dhuruar nga qeveria. Ata do të kenë mundësi ta tërheqin edhe në muajt e parë të vitit 2020. Kjo do të thotë se vendimi për shpërblimin prej 3 mijë lekësh të reja është në fuqi edhe pas përfundimit të këtij viti. Nga ky vendim përfitojnë 663.227 pensionistë, nga të cilët 530.364 qytetarë që trajtohen me pension pleqërie, 67.754 që trajtohen me pension invaliditeti, 49.849 janë në pension familjar dhe 13.260 që trajtohen me pension social të veçantë. /e.s/