Së paku 120 shtëpi janë shkatërruar nga zjarret e mëdha që kanë shpërthyer në natyrën e Kilit, më saktësisht në qytetin Valparaiso. Kjo gjendje i detyroi mijëra banorë që të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.
Të gjitha zjarrfikësit e qytetit janë angazhuar për të luftuar me flakët në zonat Rocuant dhe San Roque. Autoritetet e ndërprenë rrymën për 90 mijë konsumatorë si masë parandaluese për shkak të rrezikut nga përhapja e zjarreve përmes rrjetit elektrik raporton “BBC”.
Kryetari i këtij qyteit, Jorge Sharp, tha për një televizion se zjarret janë shkaktuar qëllimisht, ndërsa policia nuk ka raportuar ende për ndonjë viktimë.
“Tash për tash, ekipet emergjente në tërë qytetin janë duke punuar përmes burimeve tokësore dhe ajrore. Ata janë të përqendruar në dy zonat më të larta të qytetit”, tha kryetari.
Ai shtoi se erërat e fuqishme dhe temperaturat e larta po e përkeqësojnë gjendjen e zjarreve. Valparaiso është njëri prej qyteteve më të mëdha të Kilit dhe port i rëndësishëm në bregdetin e Oqeanit Paqësor.
Nga këto zjarre deri më tash janë djegur rreth 120 hektarë kullosa. Qyteti i shtrirë në pjesën qendrore të Kilit është vend i popullarizuar edhe për turistët.
Përpos Kilit, këtë vit me zjarre janë përballur edhe disa shtete të tjera të Amerikës Jugore, përfshirë Brazilin dhe Bolivinë.
g.kosovari