Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin tha se Serbia nuk do të anëtarësohet në NATO “për sa kohë Aleksandar Vuçiç (president i Serbisë) dhe kjo shumicë parlamentare të jenë në krye të vendit”. Vulin paralajmëroi se vendi i tij, për herë të parë, do të zhvillojë vitin e ardhshëm stërvitje ushtarake me Kinën.
“Ne po bashkëpunojmë me NATO-n, por gjithashtu jemi duke bashkëpunuar me vendet e ish-Bashkimit Sovjetik në kuadër të Traktatit të Sigurisë Kolektive. Këto vende nuk na kërkojnë të heqim dorë nga një pjesë e territorit”, tha Vulin në parlamentin serb.
Ai shtoi se neutraliteti ushtarak është “i shtrenjtë”, por se nuk ekziston presion nga i cili do të hiqte dorë nga kjo politikë, sepse siç tha “ju nuk jeni një vend i lirë, nëse dikush tjetër ju ruan qiellin”.
Serbia ka zhvilluar stërvitje ushtarake me Rusinë gjatë muajit tetor. Presidenti Vuçiç kishte deklaruar asokohe se ishte befasuar nga ajo që mund të bëjnë sistemet ruse tokë-ajër.
g.kosovari