Në debatin tashmë të lodhshëm rreth nismës rajonale të Mini-Shengenit, gjithë kundërshtarët e tij, sidomos shpikësit e teorive konspirative, shmangin të gjithë një element kryesor, që ndan shpesh pazarin në debatet rreth të ardhmes perëndimore të rajonit.
Dhe ky është qëndrimi i SHBA dhe Bashkimit Europian rreth kësaj nisme.
E vërteta është se SHBA dhe BE qëndrojnë pas kësaj nisme dhe janë inkurajues të saj. Të gjithë kundërshtarët e nismës, kryesisht brenda Kosovës, po përpiqen të flasin kundër nismës, si një komplot ndërkombëtar ndaj tyre, udhëhequr nga Serbia, e shitur nga Shqipëria. Ky do të ishte një rrezik banal për një shtet si Kosova, i cili është pavarësuar prej ndërhyrjes së SHBA e Bashkimit Europian.
Do të ishte banale ta mendonim se SHBA e BE do ta linin fatin e Kosovës, tek dëshira e Edi Ramës për të ngrënë peshk në Durrës me Vuçiç, Gjukanoviç e Zajev.
Dhe këtë e dinë mire të gjithë liderët e Kosovës.
Hashim Thaçi e di, por është i lodhur duke u përdorur nga SHBA e BE, për dialogun pa fund e pa anë me Serbinë, dhe ndjehet i pashpërblyer për gjithë këtë.
Ramush Haradinaj e di mirë, por ndjehet i kërcënuar prej tyre ngaqë e thirrën në Hagë.
Albin Kurti e di akoma më mirë, ende pa marrë qeverinë, por kërkon që ai të jetë personi që do të bëjë dialogun dhe jo të tjerët, pa ardhur ai në pushtet.
Isa Mustafa nuk mërzitet shumë, pa garantuar që merr postin e presidentit.
Dhe kështu, i gjithë konteksti i një zhurme paranojako- patriotike, mbështetet tashmë tek personalitete fallco që flasin në emër të Perëndimit, për shkak të ID-së tyre.
Këtu në Shqipëri për shembull është anektodik një personazh i punësuar me honorare nga Partia Demokratike, qytetar gjerman, konsulent fushatash të dorës dytë, që paraqitet si këshilltar i Merkelit, apo akoma më banale, si “personalitet” i CDU, pa qenë askush. Është thjeshtë një qytetar gjerman që paguhet nga stafi i PD për të sharë Edi Ramën në Tuitter, detyrë që e bën dhe Bujar Nishani pa lekë fare.
Pasi shpallet këshilltar i Merkelit ose “Personalitet i CDU”, (nuk di a është dhe anëtar), pasta atij i referohen si qëndrim i Gjermanisë kundër Mini-Shengenit.
E njëjta gjë ndodh dhe me lobistë amerikanë, apo individë të pavarur, që kanë mendimin e tyre, ndryshe nga SHBA.
Thirret një analist politik me origjinë nga SHBA në një TV, ai shpreh rezerva për nismën, dhe pasaj thuhet që SHBA është kundër Mini-Shengenit.
E gjithë kjo pastaj tenton të prodhojë idenë e rreme se Kosova po qëndron e vetme e izoluar, se ka pas BE e SHBA kundër fqinjëve të saj.
Problemi nuk është pse udhëheqësit e Kosovës, secili për interesa të veta, kundërshtojnë nismën rajonale, apo sulmojnë Edi Ramën. Kjo nuk sjell ndonjë dëm të madh.
Problemi është se ata nuk e kanë mbështetjen e BE dhe SHBA në këtë histori, dhe ky është problem me të cilin ata duhet të ballafaqohen publikisht, dhe të mos i gënjenë njerëzit, duke shpjeguar hallet e tyre, me hallet e shpikura të Kosovës.
Kështu bëri sot Ramush Haradinaj, i cili po largohet nga kryeministër, duke tentuar përsëri për t’u viktimizuar në emër të taksës 100 për 100, me të cilën tentoi të bënte politikë populiste në Kosovë.
Në konferencën e sotme për shtyp, në përmbyllje të detyrës së tij, ai ka komentuar dhe nismën rajonale të Mini-Shengenit, si një përpjekje për të hequr taksën e tij kundër Serbisë.
Në fakt, heqja e taksës është paralajmërim zyrtar i Albin Kurtit në qeverinë e pritshme me LDK. Nuk ka asnjë lidhje me Mini-Shengenin, apo nisma të tjera rajonale, por SHBA dhe BE ja kanë kundërshtuar në sy, qyshkurse e bëri.
Murmëritjet e tij kundër lancelares Merkel dhe presidentit Macron, apo kundërshtimet ndaj SHBA për këtë, kanë qenë publike.
Përpjekja për ta shpjeguar Mini-Shengenin secili për hall të vet, është tregues i mungesës së parimeve dhe guximit për t’u përballur me problemin, duke gënjyer qytetarët.
Dhe çka është më banale në këtë histori, është se më shumë se gjysma e platformës së Mini-Shengenit është ndërkohë fakt i kryer.
Lëvizja e lire me ID kartë është në gjysmat e vendeve e kryer, e nisur nga Berisha më 2010. Qarkullimi i lirë i mallrave është penguar vetëm në kufirin Kosovë- Serbi. Ajo që shton platforma është lëvizja e lirë e fuqisë punëtore dhe tregu i kapitaleve.
Pra është më shumë një nisëm që forcon klimën e besimit në rajon, se sa krijon ndonjë identitet të ri gjeo-politik.
Dhe kjo nisëm ka nxitjen e BE e SHBA, për të krijuar një klimë për zgjidhjet e mëdha në Ballkan, që lidhen me rapotet mes Kosovës e Serbisë dhe Bosnjës e Serbisë.
Të tjerat janë lajme të rreme, bazuar mbi “platforma” të rreme, personalite të rreme, dhe mbi të gjitha politikanë gënjeshtarë dhe frikacakë.
Natyrisht nuk e kam fjalën për t’u rrahur me grushta. Këtu Ramushit i hapim rrugë. (Tema)