Situata e krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit mori një pjesë pjesë të mirë të mbylljes së vitit që po lëmë pas, por do të jetë në qendër edhe të vitit të ri që vjen.
E megjithatë kryeministri Rama tha se qeveria nuk do të lërë pas edhe prioritetet e tjera të vendosura për këtë mandat të dytë.
Duke folur pas mbledhjes së qeverisë në Golem, Rama bëri një panoramë të asaj që na pret në 2020.
Rama: Në fillim të janarit, menjëherë pas Vitit të Ri, ne do kalojmë aktin që u pengua për shkak të Gjendjes së Emergjencës kundër krimit të organizuar dhe KÇK-së dhe njëkohësisht do vijojmë punën me Paktin për Universitetin. Ka nisur procedura dhe në pranverë do jemi në kantier për kampusin e madh universitar të Tiranës që do përfshijë ish-Qytetin Studenti, Akademinë e re të Sigurisë dhe Akademinë e Arteve.
Në rastin e Akademisë së Sigurisë do ketë një rindërtim të rëndësishëm ku do përfshihet edhe laboratori shkencor, që do të jetë një risi e rëndësishme për punën e Policisë së Shtetit, por edhe për vetë Akademinë, ndërsa në kompleksin ekzistues të Akademisë së Arteve do rindërtojmë nga e para gjithë pjesën e ndërtuar pas periudhës italiane.
Sa i përket energjisë dhe infrastrukturës, kemi nisur procedurën për Aeroportin e Vlorës. Shumë shpejt do shpallet procedura për Parkun e madh të Fotovoltaike në zonën e Divjakës. Shumë shpejt do shpallet procedura për rrugën e re që do ndërtohet tërësisht nga e para, Thumanë-Kashar-Rrogozhinë, pra, një segment, Thumanë-Rrogozhinë. Po ashtu, po punohet dhe shpejt do shpallet procedura për tunelin e Llogarasë, që është një tjetër vepër e rëndësishme publike, pastaj një sërë veprash të tjera, Shëngjin-Velipoja, e të tjera vepra goxha të rëndësishme.
Për procesin e legalizimeve, shpejt kalojmë në Parlament Ligjin e ri për Tokën dhe do i japim zgjidhje përfundimtare pronësisë mbi tokën të të gjithë atyre zonave ku nuk ka funksionuar 7501-shi dhe nuk ka konflikte pronësie e kanë njohur reciprokisht kufijtë e vjetër, sepse jemi ndeshur vazhdimisht, qoftë në fushata, qoftë në kontakte me njerëzit dhe prej 30 vitesh nuk i është dhënë zgjidhje përfundimtare. Do i japim zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje dhe njëkohësisht edhe regjistrimit të tokës bujqësore në përgjithësi mbi bazën e 7501-shit, duke respektuar rekomandimet e KiE.
Po ashtu, kemi një tjetër prioritet të rëndësishëm, shërbimet online. Kemi folur, sepse ky është një prioritet që do fillojë të hyjë në proces konkretizimi që në janar me një numër të madh shërbimesh që qytetarët nuk do jenë më të detyruar dhe nuk do e kenë më as të mundur të shkojnë në zyra, apo sportele, por do i bëjnë aplikimet online dhe me të renë që të gjitha dokumentet që qytetarët duhet t’i marrin nga institucionet e ndryshme shtetërore për të marrë një të drejtë, apo një licencë, apo autorizim apo një dokument do i garantojë vetë shteti.
Këto shërbime do fillojnë në një masë të konsiderueshme në janar, në qershor vala e dytë dhe në 2020-wn do mbyllim përfundimisht të gjitha sportelet, duke mbyllur përfundimisht kanalet e ryshfetit, kanalet e radhëve, torturave të njerëzve në pritje të përgjigjeve nëpër sportele. Dhe e fundit, Shengeni Rajonal, që është patjetër një prioritet i rëndësishëm. /e.s/