Në një kohë kur nuk na ndajnë shumë ditë nga festat e fundvitit, qeveria ende nuk është deklaruar nëse do të ketë shpërblime për pensionistët, pasi vendi ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme pas tërmetit të 26 nëntorit. Për të shuar të gjithë kuriozitetin për këtë çështje, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur pyetjes së gazetarit të ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Ergys Gjençaj.
Pak pas mbledhjes maratonë të kabinetit qeveritar në Golem, kreu i ekzekutivit tha se ditën e nesërme do të merret vendimi. Ai pohoi se do shihet gjithçka duke u bazuar tek gjendja në të cilën ndodhet vendi, ndersa shtoi se; “Ideja ka qenë dhe mbetet që ne të mos cënojmë prioritetet”.
“Nesër kemi mbledhjen e qeverisë dhe do të flasim për këtë. Çka na ka ndodhur na ka bërë më të kujdesshëm do të thosha, jo të frenuar. Ideja ka qenë dhe mbetet që ne të mos cënojmë prioritetet dhe sigurisht që pensionistët nuk janë kurrë një kategori që mund ta harrojmë ose neglizhojmë. Por nga ana tjetër jemi të kujdesshëm që do ta përballojmë rindërtimin, qoftë edhe vet. Ndaj duhet të presim dhe rezultate e Konferencës së Donatorëve për fondet, në mënyrë që të kemi një qartësi se sa do të jetë barra jonë në barrën e përgjithshme. Do të komunikojmë në vijim. Është pyetje me vend dhe është një shqetësim që e kam të qartë dhe të fortë”, pohoi Rama. /e.s/