I afruar me shumë bujë gjatë verës dhe me objektivin për të ndërtuar një skuadër që do të rivalizonte për titullin, Stanislav Levy largohet nga Flamurtari. Pas tetë javëve kampionat, stoli i skuadrës vlonjate mbetet bosh. Shkak janë bërë problemet financiare të klubit, ku futbollistët kanë më tepër se tre muaj që nuk paguhen.
Mungesa e korrektësisë nga ana e drejtuesve të klubit përsa i takon detyrimeve financiare është edhe arsyeja kryesore përse Levy vendosi të braktisë bregdetarët. Prej kohësh, tekniku çek ishte pozicionuar në krahun e futbollistëve, duke ushtruar presion te klubi që situata të zgjidhej. Prej ndeshjes së barazuar në shtëpi me Bylisin, Stanislav Levy ishte takuar me zyrtarët e Flamurtarit, ku kërkoi shpjegime dhe zgjidhje sa më të shpejtë të situatës. Trajneri këmbëngulte se rrogat e prapambetura krijuan një ngërç psikologjik te skuadra, e cila nuk mund të përqendrohej plotësisht te loja dhe për rrjedhojë nuk po jepte maksimumin në fushë.
Por, vonesat e klubit që ende nuk po e zgjidh ngërçin financiar, detyruan Levy-n të merrte vendimin ekstrem. Trajneri largohet nga skuadra prej probleneve financiare, ashtu si më parë kanë bërë dy futbollistët Buval e Trapp, por edhe dy italianët e stafit teknik, Maltagliatti dhe Milana. Anija e Flamurtarit e mbetur pa timonier vazhdon të fusë ujë nga të gjithë krahët. Largimi i Levy-t përpara transfertës në Korçë me Skënderbeun, i jep goditjen finale ambicieve të vlonjatëve. Sezoni që duhej të ishte ai i ringritjes së kuqezinjve, tashmë do ti shtohet listës së edicioneve të dështuara.
SUPERSPORT