As këtë vit, në tryezat e familjeve shqiptare për festat e fundvitit, nuk do të mungojë gjeli i detit nga zona e Baldushkut, e cila njihet për rritjen e tyre. Për vitin e pestë radhazi, Baldushku është kthyer në epiqendrën e produkteve bio të zonës së Tiranës, e veçanërisht të gjelit të detit, prodhimi i të cilit këtë vit është dyfishuar.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi hapjen e Tregut të Shpendëve nga Agjencia për Administrimin e Tregjeve, që do të funksionojë deri më 31 dhjetor. “Më vjen mirë që si çdo vit, Baldushku është epiqendra e festimeve, epiqendra e Tiranës Rurale, që furnizon me produkte bio kryesisht gjelin e detit, por edhe produktet e tjera të serave dhe të fushave, në tryezat e Tiranës, e ndoshta përtej saj, në gjithë Shqipërinë. E kemi filluar këtë traditë para 4 vitesh dhe shohim sesi çdo fermer dhe çdo familje që jeton tregtinë e gjelave të detit e ka shtuar nga 40 apo 50% prodhimin do vit. Mezi pres që edhe këtë vit qytetarët e Tiranës të orientohen te Baldushku, Ndroqi, Peza, Vaqarri, Farka, Bërzhita, Krraba, Petrela, si mënyra më e mirë që paraja të lëvizë brenda zonës”, tha Veliaj.
Duke theksuar rëndësinë e blerjes së produkteve lokale, kreu i Bashkisë u shpreh se kjo është mënyra më e mirë edhe për të rikuperuar ekonominë e këtyre zonave të prekura nga tërmeti. “Kemi dy mundësi: ose të nënshtrohemi, gjunjëzohemi dhe të panikosemi, të ndalojmë jetën normale, festimet, gjithë aktivitetin që i shkon fundit të vitit, ose të themi se mënyra më e mirë për të ndaluar tërmetin ekonomik pas tërmetit të natyrës, është të karikojmë ekonominë. Pra, të inkurajojmë qytetarët të shpenzojnë. Nëse doni që ta ndihmoni Tiranën, Durrësin, Lezhën, pra tre qarqet e prekura, mënyra më e mirë për ta ofruar këtë ndihmë është duke konsumuar produkte që prodhohen në këto tre qarqe, duke shpenzuar dreka apo darka në lokale, restorante, hotelet e këtyre qarqeve, në dyqane dhe në dhurata, si mënyra më e mirë”, tha ai.
Shembullin e parë e ka dhënë Bashkia e Tiranës, e cila në mensat sociale, kopshte e çerdhe, përdor produkte vendase. “Jam i vendosur që të paktën në këtë qytet, pas tërmetit të natyrës, të mos ketë tërmet ekonomik. Po japim shembullin personal, të gjitha produktet që po përdorim në mensat publike të Tiranës, në qendrat tona sociale, në kopshte dhe çerdhe, janë të gjitha produkte vendase. Do ta vazhdojmë ta shtojmë këtë lloj shpenzimi edhe për gjelat e Vitit të Ri dhe për dhuratat që Bashkia e Tiranës do të bëjë në format e drekave apo darkave për shtresat në nevojë, do të jenë produkte të Baldushkut”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku nënvizoi se sot akti më i madh patriotik që mund të bëjë një familje e Tiranës është të konsumojë produkte vendase, ndërsa shtoi se ky dhjetor do të kthehet në një fundvit solidariteti. “Të gjithë njerëzve që thonë, ju dërgojmë lutje, statuse në Facebook, Like, u them shumë faleminderit, por ajo që na duhet është konsumi. Mënyra më e mirë nëse doni të ndihmoni pjesën e Tiranës rurale, ku edhe dëmi ka qenë më i madh me tërmetin, si Baldushku, Vaqarri, Peza, Ndroqi, blini gjelat e detit, blini produktet e fushës, serave. Ndaj, sot akti më i madh patriotik që mund të bëjë një familje e Tiranës është të konsumojë produktet e Tiranës rurale. Mezi pres që këtë fundvit, ta kthejmë në një fundvit solidariteti”, deklaroi Veliaj.
Deputeti i PS, Xhemal Qefalia deklaroi se falë nismës së kryebashkiakut Veliaj 4 vite më parë, tashmë gjeli i Baldushkut është kthyer në një markë të njohur duke ndihmuar ekonominë vendase. Ndërkaq, të gjitha strukturat e bashkisë kanë ngritur grupet e punës për të mundësuar shitjen e kontrolluar të këtyre produkteve. Burimi Bashkia)
Treg per gjelat apo per njerezit ?
Ku jane gjelat ?