Të ardhurat nga akciza gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti llogariten 42.3 miliardë lekë.
Këto të ardhura për periudhën 11 mujore rezultojnë rreth 2 miliard lekë më të larta se sa në të njëjtën periudhë të një viti më parë, periudhë në të cilën u mblodhën 40.8 miliardë lekë.
Sipas raportit mbi treguesit fiskal të publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, akciza e rimbursuar për këtë periudhë llogaritet 1.5 miliardë lekë. Ndërsa për 11 mujorin e vitit 2018 u rimbursuan rreth 1.3 miliard lekë.
Nga akciza për vitin 2020 programohen 50.5 miliardë lekë, me rritje prej 2.8 miliardë lekë, ose 5.9% më shumë se pritshmëria e vitit 2019.
Në buxhetin për vitin 2020, faktorët kryesorë që do ndikojnë në arkëtimin e të ardhurave nga akciza renditen rritja e planifikuar e akcizës për cigaret me efekt 0.75 miliardë lekë, si dhe rritja me 4% e importit/prodhimit të karburanteve dhe produkteve të tjera të akcizës si birra, vera etj.
Po ashtu, efekt pritet të japë edhe lufta kundër informalitetit, kontrolli rigoroz i subjekteve të akcizës si dhe disiplinimi i mëtejshëm i procedurave të përfitimit të përjashtimeve dhe rimbursimeve nga kjo taksë.
Rritja e akcizës për cigaret është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata si produkt me efekte negative në shëndet, duke rritur çmimin e shitjes së tyre.
/a.r