Pavarësisht takimeve të shpeshta mes liderëve të rajonit, Ballkani mbetet një ndër zonat më të nxehta të globit. Raporti më i fundit i Qendrës për Veprimet Parandaluese thotë se në 2020 ekziston rreziku i një konflikti në rajon.
Më saktësisht, vendet e rrezikuara janë: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, Serbia dhe Kroacia. Raporti e klasifikon rrezikun në tre zona.
Zona e parë është ajo e kuqe, me rrezik mjaft të lartë konflikti. Zona e dytë është ajo me rrezik të moderuar, dhe zona e tretë ajo me rrezik të ulët. Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit janë të përfshira pikërisht në kategorinë e fundit, atë me rrezik të ulët.
Kjo do të thotë se, pavarësisht se rreziku është mjaft i ulët, është i pranishëm, dhe edhe në 2020, rajoni duhet t`i ruhet një rindezje të gjakrave.
“Përshkallëzimi i tensioneve dhe ekstremizmi i dhunshëm në këto vende mund të rezultojë në paqëndrueshmëri politike dhe në përplasje të armatosur në 2020, thuhet në raport.
Në hartën globale ndërkohë, Shqipëria figuron në zonën e portokalli, atë me rrezik të moderuar, për shkak se është një vend anëtar i NATO-s. /tema/