Ndërsa kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, po ngutet për të dhënë deklarata rreth liberalizimit të vizave duke premtuar se këto mund të hiqen në fund të shkurtit ose fillim të marsit, raportuesja në Parlamentin Europian për këtë çështje, Tanja Fajon, ka thënë se nuk ka zhvillime rreth këtij procesi, dhe se nuk mund të jepet ndonjë datë për vitin tjetër, edhe pse Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga BE-ja.
“Fatkeqësisht nuk ka ndonjë zhvillim në çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Komisioni Europian konfirmoi përmbushjen e kritereve, dhe Parlamenti Europian e ka aprovuar mandatin e tij të negociatave, përsëri në shtator pas zgjedhjeve”, ka thënë Fajon.
Ajo theksoi se pret që si Komisioni Europian dhe Parlamenti, të veprojë edhe Këshilli i Ministrave, dhe që ky proces të ecë tutje.
Mirëpo, ndryshe prej Fajon-it, sipas Ramush Haradinaj, liberalizimi i vizave mund të ndodhë në fund të shkurtit, më së largu, në fillim të marsit.
Haradinaj tha se “Për vonesën e liberalizimit të vizave ka ndikuar edhe vonesa në formim të institucioneve. Besoj që kjo na ka krijuar problem”, ka thënë ai.
Por kryeministri gjatë këtij viti ka dhënë edhe të tjerë afate kohorë, si në shtator, nëntor apo dhjetor. Po a do të hiqen vizat në shkurt apo mars, ose në ndonjë muaj tjetër gjatë vitit të ardhshëm, mbetet të shihet nga vendimet e presidencës së re të BE-së.
g.kosovari