Policia e Fierit ka zhvilluar një operacion për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore duke arrestuar 3 persona të moshave 20, 33 dhe 35 vjeç.
Sipas policisë të tre personat janë me precedentë penalë në fushën e krimeve kundër personit, pronës dhe armëmbajtjes pa leje. Ndërkohë që janë sekuestruar gjatë operacionit “Çlirimi” 2 armë zjarri, municion luftarak, 2 armë të ftohta dhe 1 makinë e blinduar.
Në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit, kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri dhe në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si edhe nga informacionet e mara në rrugë operative, Policia bëri të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasve:
Sh. K., 33 vjeç, banues në Fier, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje;
A. B., 35 vjeç, banues në Fier;
R. L., 20 vjeç, banues në Fier;
Gjatë kontrollit të ushtruar nga strukturat e DVP Fier, në fshatin Çlirim, Fier, në mjetin e blinduar Audi A8, i cili drejtohej nga shtetasi R. L., poshtë sediljes së parë të pasagjerit, ku ishte ulur shtetasi Sh. K., u gjetën dhe sekuestruan 2 armë zjarri tip pistoletë dhe 2 krehëra me 24 fishekë.
Gjatë kontrollit personal, shtetasit R. L. iu gjet dhe sekuestrua një mjet prerës (thikë), që e kishte në çantën e dorës. Gjithashtu, gjatë kontrollit personal të ushtruar ndaj shtetasit A. B., u gjet dhe u sekuestrua një mjet prerës (thikë).
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 pistoleta, 2 krehëra me 24 fishekë, 2 mjetet prerëse dhe automjeti i blinduar Audi A8.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Fier, për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
/a.r