Anëtarët e “Grupit Bajri”, Safet Bajri, Ilir Bajri, Ismet Idrizi dhe Asmer Bilali, kanë depozituar ditën sotme kallëzim penal ndaj gjyqtares Iliriana Olldashi, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal.
Padia ka ardhur për shkak se kanë kaluar me shumë se 3 javë dhe vendimi i masës së sigurimit “Arrest në burg” nuk është zbardhur, dhe për pasojë aktet nuk janë depozituar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda Tiranë.
“Po mundohen të na mbajnë me çdo kusht në burg”, shprehen në një pjesë të kallëzimit anëtarët e grupit, shkruan “shqiptarja.com”.
Edhe më herët, të katër anëtarët e grupit i janë drejtuar Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit me kërkesë ankimore ndaj gjyqtares Iliriana Olldashi dhe prokurorit Anton Martini, duke kërkuar me ngulm largimin e tyre nga sistemi i drejtësisë si njerëz të papërshtatshëm dhe të nënshtruar nga faktorë politikë.