Plot mister është shoqëruar ngjarja e djeshme në Xhyrë të Librazhdit, ku një çift të sapo martuarish dyshohet se janë vetëhelmuar me fostoksinë. Për pasojë 19-vjeçarja Rezarta Xibraka ndërroi jetë, ndërsa burri i saj Olsian Hajdari, ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Dy të rinjtë kishin 1 javë që kishin kurorëzuar dashurinë e tyre, pasi kishin qëndruar 1 vit të fejuar, ndërkohë që ende nuk dihet se çfarë i ka shtyrë ata që të ndërmarrin këtë hap ekstrem. Burime për ‘BalkanWeb’ nga grupi hetimor bënë me dije se nga ekspertiza mjeko-ligjore u konstatua se çifti kishte pirë fostoksinë, ndërkohë deri më tani nuk dihen rrethanat e ngjarjes.
I vetmi që mund të hedhë dritë mbi ngjarjen në fjalë është Olsiani, i cili ndodhet në spitalin e Elbasanit në gjendje të rëndë. Në një kohë kur ngjarja është e mbuluar me mister, çifti në faqen e tyre në rrjetet sociale shfaqeshin shumë të afërt me njëri-tjetrin, ku nuk mungonin dhe dedikimet e dashurisë. Kjo gjë është vërejtur dhe nga miqtë dhe komentuesit në profilin e tyre në ‘Facebook’, të cilët shfaqen skeptikë për faktin se çifti mund të ketë helmuar veten.
Ata thonë se dikush mund t’i ketë shtyrë që të ndërmarrin këtë akt, apo dhe mund t’i ketë helmuar. Ndërkohë, familjarët e çiftit pohojnë se mes tyre nuk kishte asnjë konflikt dhe se ata kishin marrëdhënie shumë të mirë. Kujtojmë se dje çifti u gjetën në gjendje të rënduar në dhomën e tyre të gjumit nga prindërit e djalit. Ndërkohë, 19-vjeçarja ndërroi jetë pak çaste më vonë, ndërsa djali u dërgua me urgjencë në spital. /e.s/