Teksa mësimi ka nisur normalisht në auditorët e “Aleksandër Moisiut”, rektorja Kseanela Sotirofski nuk i ka fshehur emocionet për solidarizimin e madh pas tërmetit.
E ftuar në studion e emisionit “Java në RTSH”, ajo tha se Universiteti i Durrësit ishte i pari që u mbyll, por edhe i pari që u rihap.
E shoqëruar nga një grup studentësh, ajo u shpreh në panel se ka mbetur e surprizuar teksa pa që auditorët u mbushën sërish.
Prof. Dr. Kseanela Sotirofski bëri një panoramë sesi u përjetuan ngjarjet nga stafi akademik dhe studentët.
“Pas tronditjes nga tërmeti i 26 nëntorit, puna e parë që ne bëmë atë mëngjes ishte verifikimi nëse mes te prekurve kishte studentë apo pedagogë. Sot unë ndihem krenare që shumë studentë iu bashkuan thirrjes për solidaritet dhe vullnetarizëm” – tha rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu”.
Sotirofski shtoi se angazhimi i studentëve të Durrësit pati jehonë edhe në mediat italiane të cilët i quajtën ata “Engjëjt e Pluhurit”.
“Studentët u rikthyen në auditorë që ditën e parë dhe ky veprim përcjell një mesazh të madh. Sepse vetë misioni i Arsimit është jeta. Ne duhet t’u tregojmë qytetarëve të Durrësit se jeta vazhdon. Unë kam bindjen se durrsakët do të ringrihen më të fortë pas fatkeqësisë që na pezmatoi të gjithëve” – tha rektorja Sotirofski.
Qindra studentë të universitetit të Durrësit janë angazhuar në puën vullnetare në qytetin e tyre për të ndihmuar në situatën pas tërmetit. Ditën e parë të mësimit madje, ata organizuan një ceremoni përkujtimore ku 51 trëndafila të bardhë simbolizonin 51 jetët e humbura të shqiptarëve.