Shpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore si pasojë e dëmtimeve që shkaktoi tërmeti i datës 26 Nëntor ka bllokuar të gjitha prokurimet publike apo kontratat shtetërore që kanë qenë në proces, apo që planifikohen të kryhen me fondet e këtij viti.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka firmosur një urdhër për të gjithë institucionet publike ku i kërkon që të bllokojnë çdo lloj kontrate për blerje të mallrave dhe shërbimeve, të cilat nuk kanë lidhje me pasojat që shkaktoi tërmeti.
Aktualisht Thesari autorizohet që të kryejë pagesa vetëm për pagat e punonjësve, pensionet, sigurimet shoqërore, detyrimet për borxhin publik, ndihmën ekonomike, pagesat e energjisë dhe të ujit, si dhe blerjet emergjente spitalore.
Të gjitha fondet që po bllokohen do të shkojnë për të përballimin e dëmeve të tërmetit në qarkun e Durrësit, Tiranës dhe Lezhës.
Burime për Televizionin Klan bëjnë me dije se pavarësisht kërkesës për të pezulluar blerjet e administratës të cilat nuk konsiderohen emergjente, një pjesë e institucioneve kanë vazhduar me lidhjen e kontratave, çka ka detyruar firmosjen e këtij urdhri nga ana e kreut të Financave më datë 2 Dhjetor.
Vetë Kryeministri kërkoi disa ditë më parë edhe bllokimin e fondeve për pritje-përcjellje dhe zhvillimin e festave në fundvit nga ana e autoriteteve publike. /e.s/