Komisioni i Ligjeve ka përjashtuar nga mundësia për të rivlerësuar banesat, ndërtesat që janë skualifikuar nga procesi i legalizimit prej ALUIZNI-t.
Sipas deputetëve të mazhorancës kjo kategori nuk mund të përfshihet në skemë edhe pse paguan taksë.
Fino: Si mundet unë që se kam pronë, të bëj një rivlerësim të pronës dhe ndërkohë që e vë para faktit të kryer legalizimin dhe i thua do të ma legalizosh se unë e kam rivlerësuar.
Ahmetaj: Janë të detyruar të paguajnë taksë prone. Në njërën korsi megjithëse nuk e ka pronë ai paguan taksë, pse jo në të njëjtën korsi ai që paguan taksë të mos përfitojë nga rivlerësimi megjithëse nuk e ka pronë akoma?
Sipas deputetëve nëse paguhet për rivlerësim, në rast të shpronësimit do të duhet edhe dëmshpërblim, pavarësisht mungesës së Hipotekës.
Fino: Në rastin konkret unë që e kam të palegalizuar dhe mund të mos më legalizohet objekti për arsye objektive të cilat dihen nuk mundet ta paguaj rivlerësimin. Ndërsa taksa e pronës është tjetër gjë, unë mund ta shfrytëzoj një objekt, ta paguaj pronën pavarësisht se nuk e kam të legalizuar, por të bëj rivlerësimin dhe nesër do të më hidhet në shesh ajo shtëopia, ose nuk do të më njihet rivlerësimi.
Me konsensus të plotë, deputetët pranuan të paraqesin draftin me ndryshime në seancë.
Komisioni i Ligjeve propozoi që afati i rivlerësimit të shtyhet deri në shtator të vitit 2020, dhe jo në gusht siç ishte parashikuar, për ti lënë mundësinë dhe emigrantëve që të përfitojnë nga kjo nismë. /e.s/