Policia e Shtetit dha detaje lidhur me operacionin policor të koduar “Subashi”, zhvilluar sot nga forcat “Renea” dhe D.V.P. Gjirokastër, për kapjen e një shtetasi të dënuar me 35 vjet burgim për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Në pranga ra edhe babai i tij për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, pasi pas kontrollit ne banese iu gjet dhe sekuestrua një snajper, një pistoletë, dylbi dhe municion luftarak.
“Në vijim të punës për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore të shpallur në kërkim për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, strukturat e D.V.P. Gjirokastër, në bashkëpunim me forcat speciale “Renea” kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Subashi”, si rezultat i të cilit në fshatin Shtëpëz, Gjirokastër, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i personit të shpallur në kërkim për vrasje, konkretisht:
Endrik Lluka,31 vjeç, banues në fshatin Shtëpëz, Gjirokastër.
Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim, pasi gjykata e ka dënuar me 35 vjet burg për veprat “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Në datën 22.03.2016, ky shtetas ka vrarë me armë zjarri shtetasin D. Ll. dhe ka plagosur shtetasin B. Ll.
Gjatë operacionit, forcat “Renea” kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Bexhet Lluka, 57 vjeç ( i ati i Endrikut). Gjatë kontrollit, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri snajper, dylbi dhe fishekë luftarakë.
Në përfundim të veprimeve të para u bë arrestimi në flagrancë edhe i shtetasit Bexhet Lluka, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për hetime të mëtejshme.
g.kosovari