Komisioni parlamentar i medias vazhdoi edhe sot dëgjesat me grupet e interesit për projekt-amendamentet në dy ligje, që ndikojnë mbi mediat të mbiquajtura nga qeveria si paketa anti-shpifje.
Pas dëgjesës së djeshme me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, sot u paraqitën përfaqësues të organizatave vendase të shtypit dhe gazetarëve. Ata kërkuan rrëzimin e projekt-ligjeve si të panevojshme, ngaqë masat ndaj shpifjes janë të parashikuara prej kohësh në Kodin Penal.
“Shqipëria ka mjaftueshëm ligje për të dënuar shpifjet në media. Nuk ekziston asnjë rast i ankesave për shpifje që të mos jetë trajtuar nga gjykata”, tha Mimoza Koçiu, koordinatore e Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë.
Përfaqësues të gazetarëve pohuan se projekt-ligjet i japin AMA-s fuqi ekstragjyqësore të dënojë e të gjobisë rëndë mediat për ankesa ndaj shkrimeve të tyre para se këto ankesa mes palëve të shqyrtohen nga gjykata.
Ata thanë se masat e dënimit janë shumë të larta për financat e dobëta të mediave shqiptare, dhe se gazetarët humbin të drejtën e ankimit në gjykatë para se të kryhet pagimi i gjobave.
“Kryeministri Rama vet ka hedhur në gjyq shumë gazetarë. Na dërgoni nëpër gjykata për ankesat tuaja, dhe le ta vendosë gjykata, se tani ato po rregullohen nga reforma, por mos na dënoni me masa administrative” – tha Ylli Rakipi, përfaqësues i Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë.
Përfaqësues të mediave vendase kërkuan që komisioni parlamentar ta rrëzojë ose qeveria ta tërheqë këtë nismë kundër shpifjeve, sepse në fakt sipas, sipas tyre, ajo është një nismë kundër fjalës së lirë.
“Zgjidhja më e mirë është vetërregullimi. Një ligj për rregullimin e mediave online mund të hartohet nga vet mediat, por projekt-ligjet e sjella nga qeveria censurojnë brendinë e shkrimeve dhe nuk ndajnë qartë gazetarinë qytetare, rrjetet sociale dhe mediat online, dhe kjo paqartësi e shton më tej censurën”, tha dr. Elvin Luku, ekspert i komunikimit.
Ndërkaq i pyetur nga “Zëri i Amerikës” mbi mundësinë e tërheqjes së paketës antishpifje nga qeveria, drejtori i komunikimit të kryeministrit Edi Rama, Endri Fuga, tha se “ajo tashmë është në dorë të parlamentit, ku ka hyrë në proces dëgjesash dhe konsultimesh”, duke lënë të kuptohet se qeveria nuk po tërhiqet nga projekt-ligjet e saj.
Komisioni i medias përgjegjës për fatin e amendamenteve ligjore të paketës së mbiquajtur për anti-shpifjen dhe raporti i anëtarëve është 10 me 8 për shumicën, ndërsa kryesimin e komisionit e ka opozita.
Burime nga komisioni parlamentar i medias i thanë “Zërit të Amerikës” se vendimi për ta miratuar ose jo këtë projekt-ligj ende nuk është marrë. Sipas këtyre burimeve, në radhët e komisionit po mbizotërojnë dy opinione; ose paketa të kalojë për votim në seancë plenare, ose ajo të shtyhet për një kohë tjetër, pasi të shqyrtohen gjithë propozimet që po mblidhen nga dëgjesat me palët e interesuara vendase dhe ndërkombëtare. /e.s/