Drejtoria e doganave të Serbisë ka kumtuar se 25,4 tonë libra mësimorë në gjuhën shqipe përkohësisht, që nga fillimi i muajit shtator janë të deponuar në terminalin e doganës në Preshevë Shkak sipas tyre është se importuesi i tyre nuk e ka nisur procedurën përkatëse doganore.
Me rastin e bojkotit të mësimit, shkaku i mungesës së librave mësimorë në gjuhën shqipe, në disa shkolla të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, drejtoria e doganës ka njoftuar se përfaqësuesi i importuesit nuk ka paraqitur as deklaratën për vënien e mallit në qarkullim të lirë.
“Deri në këtë çast përfaqësuesi i autorizuar i importuesit (shpediteri “Miko Trade”) s’ka paraqitur deklaracion për vënien e mallit në qarkullim të lirë, përkatësisht as nuk ka nisur procedurën adekuate doganore gjatë së cilës do të vlerësohej plotësimi i të gjitha kushteve të domosdoshme për importimin e mallit në fjalë sipas Ligjit të doganës”, thuhet në komunikatën.