Pallati ku jetonte familja Duka në Njësinë nr.4 pësoi dëmtime të konsiderueshme nga tërmeti i 26 nëntorit. Por falë vendimit të Bashkisë së Tiranës për dhënien e bonosit të qirave 1-vjeçare me kushtet e tregut, familja e Kujtim Dukës është strehuar tashmë në tjetër banesë që ofron jo vetëm siguri por edhe komoditet dhe mbi të gjitha është shumë afër pallatit që kishte më parë.
Ata patën sot dy mysafirë të veçantë, kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn, të cilët teksa panë nga afër kushtet që ofron banesa e re, theksuan se tashmë të gjitha familjet që kanë pësuar dëmtime në shtëpitë e tyre në Tiranë janë strehuar në apartamente të mara me qira të siguruar nga bashkia.
“Ne të gjithë i kemi sistemuar në Tiranë me qira. Kemi mbaruar një marrëveshje dhe për Krujën për ti çuar këtu afër Tiranës. Në Durrës kemi problem se nuk ka apartamente të lira dhe faktikisht nuk po gjejmë me qira në Durrës, kështu që do ti s’postojmë këtej dhe mund ti japim ndonjë bonus edhe për transportin. Ky është një taksirat që na ra dhe do ta heqim”, tha kryeministri Edi Rama.
Ndërkohë që vet dy familjarët u shprehën të kënaqur me kushtet e apartamentit të ri, ndërsa falenderuan institucionet shtetërore për reagimin e menjëhershëm.
“Jemi shumë të kënaqur, apartamenti është i ngrohtë dhe komshinjtë na pritën mirë. Aq më shumë që është edhe sigurt. Më parë kam pas pallat me tulla të bardha dhe ato janë problem. Nuk është mirë kjo që na ra por do ta kalojmë. Tani për tani jemi shumë mirë, jemi shkëlqyeshëm. Organizimi ka qenë shumë i mirë”, tha kryefamiljari, Kujtim Duka.
Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se çdo pallati të dëmtuar do ti bëhet një ekspertizë e thelluar për të vendosur nëse do ti bëhet përforcim apo do të rindërtohen nga e para.
“Do i bëjmë një vlerësim të thelluar çdo pallati, kush mban përforcim do ta bëjmë, aman kush nuk mban përforcim më mirë të qendrojmë këtu rehat dhe nuk marrim risk dhe 1 vit që është qiraja ne e përdorim për të bërë ndërtesat e reja. Kemi disa në Kinostudio që do prishen, kështu që nuk do marrim rreziqe të panevojshme dhe kur të ndërtohet lagja e re do sistemohemi atje”, – tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Gjithashtu Veliaj bëri të ditur se gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak do miratohen edhe 200 qira të tjera, për familjet e tjera të cilave banesat i janë vlerësuar sit ë pabanueshme.
“Ne kalojmë edhe 200 të fundit në Tiranë, pra shkon lista në 1200 sepse edhe në fundjavë gjetëm disa pallate të tjera problematike. Me të mbaruar listën 1200, ne praktikisht mbyllim fazën e emergjencës dhe do përfundojmë pastaj gjithë kontratat dhemë pas do ketë edhe një vendim Këshilli Bashkiak dhe këtyre agjencive që monitorojnë jo Mbrojtja e Konsumatorit, jo Autoriteti i Konkurencës që të bëjmë një kontratë tip ku të gjithë të respektojnë le të themi çmimin që kanë dakordësuar që në fillim, kjo për efekt të spekulimeve”, u shpreh Veliaj. /e.s/