Ekstradohet nga Danimarka në Tiranë një grek i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare pasi gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e arrestit të burgut në mungesë.
Prokuroria ka ngritur kundër 46 vjeçarit grek me inicialet D. Th. disa akuza, pasi në bashkëpunim me një shqiptar me inicialet K.M. dhe dy shoqëri kishin organizuar dhe vënë në funksionim një skemë mashtruese me qëllim për të përfituar rimbursim të vlerave të TVSH-se duke krijuar shoqëri fiktive.
Greku tashmë do të përballet me akuzat për “Krijim të skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar kryer në bashkëpunim”, “Fshehje e të ardhurave“, “Mospagim i taksave dhe tatimeve” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.
Po sipas njoftimit të policisë, vlera e aseteve që u transferuan nga skemat fiktive është 4 milionë euro, ndërsa vlera e veprimtarisë ekonomike që u transferua është 1.9 milionë euro. /e.s/