Pas dëmeve nga tërmeti i 26 Nëntorit, Kruja ka rihapur dyert e Kalasë dhe dy muzeve, atij Kombëtar dhe atij Etnografik. Pas verifikimit nga ekspertët zviceranë dyert e tyre janë hapur për të pritur sërish vizitorët, ndërkohë që vijon të jetë e kufizuar zona tek kulla pranë kalasë.
“Lajmi i mirë është fakti se nga dita e djeshme dy muzetë e Krujës janë të hapur dhe ne i mirëpresim vizitorë. Pasi akt konstatimit nga ekspertët e Zvicrës rezultoi se ata nuk kanë pësuar asnjë dëmtim dhe janë të gatshëm për të pritur vizitorët”, thotë drejtori i 2 muzeve të Krujës.
Kulla e Kalasë së Krujës ose siç quhet ndryshe Kulla e Sahatit është ndërtuar në shekullin e 12, ku shërbente si kullë vrojtimi. Ndër shekuj Kulla ka pësuar dëmtime të rënda si pasojë e tërmeteve. Kulla pësoi dëmtime serioze edhe gjatë tërmetit të datës 26 nëntor dhe pjesa e sipërme e saj që është rikonstruktuar ndër shekuj shfaqi përsëri probleme.
Pjesa e sipërme e saj i është nënshtruar një rikonstruksioni në shekullin e 17 pasi u shemb si pasojë e një tërmeti. Gjithashtu kjo kullë iu nënshtrua një rikonstruksioni tjetër në vitin 1981 kur u dëmtua nga tërmeti apokaliptik që shkaktoi dëme të pallogaritshme kryesisht në zonën e Lezhës dhe Shkodrës, në 1979. /e.s/