Olda Halili, është studente e vitit të parë në degën Gjuhë-letërsi Anglisht, e mbetur e pastrehë pas tërmetit të 26 nëntorit, e megjithatë prej ditësh po kontribuon vullnetarisht në bashkinë e Durrësit, në ndihmë të banorëve të qytetit.
Ajo rrëfen momentet e tmerrit nga tërmeti, ndërsa vëllai i saj mbeti i bllokuar nga rënia e mureve të shtëpisë. “Të tre tërmete i ndjemë, port e tërmeti i madh siç po na zinte gjumi vetëm kur heq batanijen dhe shoh mobiliet që po lëviznin dhe kam vrapuar që të hap derën dhe në moment dritat ikën. Në ato moment e vetmja gjë që mund të shihje ishte muret që binin, tavanet që lëkundeshin. Gjithçka ishte një kaos”, rrëfen ajo momentet e rënies së tërmetit.
“Kur kemi shkuar te dhoma për të marrë vëllain, gjysma e murit të banjos kishte rënë mbi këmbën e tij. Dhe mezi kemi lëvizur krevatin e madh që të tërhiqnim vëllain. Kemi dal pas 20 minutash dhe për shkak se dera nuk na hapej kemi dalë nga një hapësirë e vogël mes dy dollapeve të mëdhenj të kuzhinës”, tregon Olda ndërsa kujton se “të gjitha shkallët ishin prishur, por në ato moment e vetmja gjë që mendonim ishte thjeshtë të dilnim”.
Në ditët më të vështira thotë ajo, çdokush do të donte të ndihmohej, prandaj edhe Olda zgjodhi të bënte atë që do të dëshironte që të tjerët të bënin për të. Për të, kontributi vullnetar, sidomos në këto ditë kur të gjithë kanë nevojë, nuk ka çmim. Rikthimi i buzëqeshjes është ajo ç’ka vlen më shumë.
“Doja të ju vija në ndihmë njerëzve që ishin prekur, që kishin nevojë për strehim. U marrim emrin, numrat e telefonit. Duke qenë aty teksa sheh vuajtjet e njerëzve duke qarë, është e dhimbshme”. “Puna vullnetare nuk ka çmim në këto ditë të vështira, çmimi më i mirë që ne mund të marrim është buzëqeshja e tyre”, shprehet ajo.
Gjithashtu Olda Halili dha edhe një mesazh për gjithë të rinjtë që t’i bashkohen vullnetarizmit, pasi kushdo që do ndodhej në këtë situatë do donte të ndihmohej nga të tjerët, por edhe të ndihmonte.
“Do ishte mirë që të rinjtë t’i bashkoheshin kësaj nisme në mënyrë vullnetare, pasi kushdo që do ishte në këtë situatë do donte të ndihmohej nga të tjerët, por edhe të ndihmonim të tjerët”, përfundoi ajo.
Krahas Oldës, janë edhe 140 studente që po kontribuojnë vullnetarisht në bashkinë e Durrësit.