Në një takim në Bratisllavë, Sllovaki, Shqipërisë iu dorëzua sot për herë të parë në historinë e saj drejtimin e OSBE (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë). Shqipëria do të drejtojë zyrtarisht këtë organizatë nga 1 janari, deri në fund të 2020.
Në praninë e Kryeministrit Rama, vendit iu dorëzua stafeta prej Miroslav Lajçak, ish-komisioneri europian dhe Ministri i Jashtëm dhe Europian të Sllovakisë, vendit që ka presidencën aktuale.
Në fjalën e tij, Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria do të fokusohet në 4 përparësi kyçe gjatë mandatit të saj.
Përparësia e parë, do të jetë kriza në Ukrainë, “e cila mbetet kriza më urgjente e sigurisë sot në Europë”, theksoi kreu i qeverisë. “Është e papranueshme që konfliktet e zgjatura në rajonin tonë të vazhdojnë të marrin jetë njerëzish, prandaj përpjekte për rezoluta të zgjidhjes së konfliktit do të jenë në krye të axhendës për Presidencën Shqiptare”, tha Rama.
Përparësia e dytë shqiptare do të jetë respektimi dhe promovimi i të drejtave të grave, veçanërisht në zonat që vuajnë më shumë destabilitetin dhe zonat e konfliktit.
Rama zbuloi se do të bëjë në OSBE atë që ka bërë edhe në qeverinë shqiptare. “Do të bëjmë pjesën tonë duke caktuar sa më shumë gra që të jetë e mundur në pozicione me përgjegjësi në OSBE”, tha Kryeministri, duke evidentuar se për herë të parë këtë vit, Shqipëria u konsiderua nga OKB si një prej 5 vendeve më të suksesshme në botë sa i përket pjesëmarrjes së grave në qeveri.
Dy përparësitë e tjera në të cilat do të fokusohet Shqipëria janë lufta kundër korrupsionit dhe trafikut të qënieve njerëzore në nivel global.