Koreja e Veriut paralajmëroi sot se do të përdorë sërish gjuhë ofenduese për të përshkruar Presidentin amerikan Donald Trump nëse ai vazhdon të provokojë Phenianin.
Paralajmërimi u bë nga Zv.Ministrja e Punëve të Jashtme të Koresë së Veriut Choe Son Hui, ndërkohë që po shuhen shanset e rifillimit të negociatave për armët bërthamore dhe programet e raketave balistike të Koresë së Veriut.
Gjatë javëve të fundit, Koreja e Veriut ka sugjeruar se do të rifillojë testimet bërthamore dhe të raketave me rreze të gjatë, nëse Shtetet e Bashkuara nuk bëjnë lëshime përpara fundit të vitit në negociatat bërthamore.
Presidenti Trump u shpreh të martën gjatë një takimi të NATO-s në Londër se ai ka një marrëdhënie “vërtet të mirë” me udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un, por i bëri thirrje atij të përmbushë angazhimet e ndërmarra për çnuklearizimin.
Presidenti Trump gjithashtu tha se Kim-it “i pëlqen të lëshojë raketa” dhe shtoi se “prandaj unë e quaj njeriu-raketë”.
Zv.Ministrja Choe tha se nëse komentet e Presidentit Trump në Londër synonin të rikthenin qëllimisht në kujtesë periudhën e dy viteve më parë kur u zhvillua një luftë fjalësh mes dy vendeve, atëherë kjo do të jetë një sfidë shumë e rrezikshme.
Presidenti Trump tha gjithashtu të martën se Shtetet e Bashkuara janë “pa asnjë krahasim, vendi më i fuqishëm në botë dhe të shpresojmë që nuk do të na duhet ta vëmë në përdorim (ushtrinë). Por, nëse do të duhet, do ta përdorim”. /VOA