Drejtuesi qendror i zyrës Operacionale për Menaxhimin e Fatkeqësisë Natyrore, ministri Fuqiplotë, Bledi Çuçi në fund të mbledhjes së qeverisë mëngjesin e ditës së sotme, bëri me dije se ka nisur puna për të përgatitur një raport për vlerësimin e dëme që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri.
Çuçi deklaroi se dokumenti është shumë i rëndësishëm, pasi do të ju paraqitet donatorëve, e ndërsa kërkoi angazhim maksimal nga ministrat e tjerë, që ky raport të jetë sa më saktë.
Sipas tij, është marrë si bazë instrumenti Post Desaster needs Assessment (PDNA) që është hapi i parë drejt zhvillimit të një programi gjithëpërfshirës të rimëkëmbjes që përdor UN dhe Bashkimi Europian. “Sot do t’ i propozoj Komitetit një njeri që do të kujdeset për integrimin e plotë”, tha Çuçi.
Dokumenti, vijoi Çuçi, është shumë dimensional dhe kërkon angazhimin specifik të të gjithë kabinetit qeveritar për t’u bërë në një kohë sa më të mirë dhe cilësi sa më të mirë. /e.s/