Policia e Fierit thotë se ka zbuluar një rast abuzimi nga një fondacion me qendër në Tiranë, ku punonjës të këtij fondacioni në qytetin e Fierit, krahas ndihmave për fondacionin, në mënyrë abuzive mashtronin njerëzit duke kërkuar ndihma për të dëmtuarit nga tërmeti.
Kështu nga ana e uniformave blu nisi procedimin penal për Ajet Shirën, 27 vjeç, banues në Tiranë.
I riu, duke qënë drejtues i një fondacioni me qendër në Tiranë, është autor i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi” i kryer në bashkëpunim, pasi në emër të fondacionit mblidhte ndihma për të prekurit nga tërmeti.
Por nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këto ndihma nuk kanë shkuar për të prekurit nga tërmeti, por në llogari të fondacionit të tij.
Gjatë ditës së djeshme, pranë një qendre tregtare në Fier, dy vajza janë kapur duke mbledhur vlera monetare për njerëzit e prekur nga tërmeti, duke mashtruar në emër të këtij fondacioni.
Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë Fier, për veprime të mëtejshme hetimore.
Ndërkohë Policia e Shtetit fton qytetarët që për çdo denoncim apo sinjalizim të çfarëdolloj abuzimi apo shkeljeje të ligjit, të telefononi në numrin 112.
/a.r