Ndërsa numri i qytetarëve të lënduar nga tërmeti që po marrin trajtim në spitale ka ardhur në ulje (altualisht janë 20 të shtruar në spitalin e Traumës, 4 në spitalin e Durrësit dhe 3 po kurohen jashtë vendit), ekipet mjekësore janë përqëndruar në dhēnien e ndihmës mjekësore në terren, pranë banorëve të strehuar në hotele apo në pikat e emergjencës.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, deklaroi nga Shëngjini se, do të ofrohet kujdes shëndetësor 24 orë për banorët në pikat e emergjencës.
“Jemi përqëndruar në ofrimin e ndihmës mjekësore pranë hoteleve dhe pikave të emergjencës ku janë vendosur banorët dhe po garantojmë shërbim 24/7 dhe kemi siguruar barnat për të sëmurët kronikë”, tha Manastirliu.
Janë kryer 1990 vizita dhe trajtime mjekësore në hotele ku janë vendosur banorët e mbetur pa strehë si pasojë e tërmetit. Gjithashtu janë kryer 3100 vizita dhe trajtime mjekësore në qendrat shëndetësore 24/7 pranë zonave të prekura nga termeti. Janë pajisur me medikamentet e nevojshme 376 të sëmurë kronikë.
Krahas ofrimit të kujdesit shëndetësor në të gjitha pikat e emergjencës të ngritura për banorët e prekur nga tërmeti nuk ka munguar ofrimi i kujdesit psiko-social për fëmijët dhe të gjithë banorët që kanë pasur nevojë. Janë më shumë se 1500 fëmijë në këto ambiente që po marrin kujdesin e duhur psiko social nga 300 psikologë dhe punonjës social në bashkëpunim me Shërbimin Social Shtetëror, Agjensinë e Fëmijëve, Urdhërin e Psikologut, organizatat si UNICEF, Save the Children, World Vision. /e.s/