Punonjësit e Inspektoratit Kombëtar të Mjedisit dhe Territorit vijojnë edhe sot punën për shembjen e ndërtesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, në qytetin e Durrësit.
Mëngjesin e sotëm, puna e IKMT ka nisur me shembjen e hotel “Lubjana”, në qytetin bregdetar, i cili u shkatërrua nga tërmeti katastrofik. Ndërkohë, punimet për shembjen e hotelit po inspektohen dhe nga drejtuesja e IKMT, Dallëndyshe Bici.
Puna për shembjen e këtij hoteli nisi mbrëmjen e kaluar, por u ndërpre për të rinisur sërish sot.
Nga ana tjetër, mwsohet se përveç IKMT, Bashkia e Durrësit sot ka zbritur masivisht në terren, duke aktivizuar 10 grupe inspektimi të përbërë nga inxhinierë, inspektorë, arkitektë, që po shohin nga afër të gjitha pallatet, për të bërë vlerësimin e tyre, nëse janë ose jo të banueshëm.
Gjithashtu po punohet në disa fronte për shembjen e ndërtesave dhe njëherësh edhe largimin e inerteve. /e.s/