Kompania e njohur Salillari SHPK ka vendosur të dhurojë 1 milion dollarë amerikanë për të prekurit nga tërmetet.
Kontributi në fjalë është bërë i ditur nga pronari, Pëllumb Salillari, i cili ndan me shqiptarët edhe mesazhin e mëposhtëm:
S’do ta kisha dëshiruar kurrë që komunikimi im publik të vendosej në këto rrethana, kur vendi është i tronditur si asnjëherë më parë e mijra jetë njerëzore janë përmbysur nga kjo fatkeqësi e paprecedentë.
Kam përjetuar çdo sekondë të dhimbjes kolektive si bashkëshort e prind, si gjysh që s’gjen fjalë t’ju rrëfejë fëmijve se çfarë po ndodh, si sipërmarrës që ndan çdo ditë shqetësimet e qindra të punësuarve e familjeve të tyre, që i ka kapluar paniku.
Kam ndarë, si shumë të tjerë, dhimbjen për qindra njerëzit e bllokuar nën rrënoja a të mbetur pa strehë, sikundër edhe krenarinë për solidaritetin e paparë ndërshqiptar. Momente që s’do t’i harrojmë për gjithë jetën e që na bëjnë të vlerësojmë rrugëtimin tonë në këtë jetë!
Jam prekur sinqerisht nga mesazhet dhe angazhimi i dhjetra qytetarëve të thjeshtë e sipërmarrësve, për t’ju gjendur vëllezërve e motrave në nevojë, e me zemër i bashkohem thirrjes për të kontribuar në këto ditë të vështira, sikundër përherë ka bërë shqiptari për shqiptarin.
Ky solidaritet është shumë i nevojshëm në këto momente dhe ne duam të ndihmojmë familjet e dëmtuara nga ky tërmet dhe ai i shtatorit duke dhuruar 1 milion USD në llogarinë e hapur nga Qeveria per tërmetet.
Shpresoj qe kto përpjekjet tona të përbashkëta t’i lehtësojnë sadopak vuajtjet e këtyre ditëve e të rikthejnë shpresën e besimin, që bashkë jemi më të fortë se çdo trill i natyrës.
Pëllumb Salillari