Situata e krijuar në vend nga tërmeti i fuqishëm i së martës dhe fakti që thuajse të gjitha forcat janë të angazhuara në këtë drejtim, tashmë ka nisur të shfrytëzohet nga trafikantët e drogës, raporton Panorama.al.
Me shpresën se askush nuk do e ketë vëmendjen tek veprimtaria e tyre e kundraligjshme, po tentojnë të zhvillojnë aktivitetin. Një rast i tillë u zbulua sot në orën 12:00 në Pikën e Kalimit kufitar të Qafë Botës.
Burime të Panorama.al bënë të ditur se Policia Kufitare ndaloi për verifikim një automjet tip “Volkswagen Bora”, ngjyrë blu, që drejtohej nga shtetasi Qemal Selmani, 51 vjeç, nga Saranda, i cili shoqërohej nga bashkëshortja.
Nga intervistimi dhe verifikimet në sistem oficerëve të Policisë u lindën dyshime për qëllimin e udhëtimit të tij drejt Greqisë, ndonëse ai vetë ishte shprehur se po shkonte për shoping bashkë me gruan.
Për këtë arsye Policia e ka kaluar automjetin e tij për kontroll në vijën e dytë. Me gjithë verifikimet e imtësishme të kryera në automjet, nuk është arritur të gjendet asgjë e kundraligjshme, por duke pasur dyshime të arsyeshme për një tentative trafikimi, është vendosur që automjeti të shoqërohej drejt Kakavijës, ku është futur në skaner dhe aty, në pjesën e brendshme të gomës së pasme, në trup të makinës, u gjetën disa pako me peshë totale 5 kilogramë heroinë.
Në këto kushte u krye arrestimi në flagrancë i Qemal Selmanit, me akuzën e “trafikimit të lëndëve narkotike”, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestrua sasia e lëndës narkotike dhe automjeti.
/a.r