Një zjarrfikës shqiptar, në orët e para të mëngjesit të sotëm i ndodhur me shërbim të Thumanë ka bërë një gjest të veçantë.
Ai ka nxjerrë nga rrënojat një flamur kombëtar, mesa duket e ndonjë familjeje që i është bashkuar nismës “Flamur në çdo ballkon për festat e nëntorit”.
Shqipëria paçka se është goditur nga tërmeti me shumë viktima, sot ka një ditë të veçantë.
Ditën e Flamurit, pavarësisht se nuk është një ditë feste, zjarrfikësi shqiptar e ka përkujtuar me mënyrën e tij, aty mes rrënojave teksa ishte në operacion-kërkim shpëtimi, duke e ngritur lart me duar.
Gjestin e tij, e ka postuar në “Facebook” ministri Sandër Lleshaj, që shkruan se: 28 Nëntori i sivjetëm na gjen të goditur fort, por jo të thyer.
“28 Nëntori i sivjetëm na gjen të goditur fort, por jo të thyer. Ky flamur, që u gjet pak minuta para mesnatës së mbrëmshme, shumë pranë viktimave të fundit të nxjerra nga gërmadhat në Thumanë, sikur i ndriçoi sytë dhe zemrat e heronjve shqiptarë, që edhe me thonj kanë gërmuar pa pushim për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej.
Ishte ky flamur, i nxjerë nga rrënojat, që për pak çaste e largoi dhimbjen e përzishme dhe ktheu dritën e shpresës.
Le të jetë ky flamur, lutja jonë për shpirtrat e atyre që e lanë pas, si simbolin më të lartë që bën bashkë shqiptarët kudo që janë dhe mesazhi ynë për nderimin e Festës sonë kombëtare. Rroftë Shqipëria!”, shkruan Lleshaj. /e.s/