Nga Bashkim Kopliku
U bënë, deri tani, 32 vetë që i vrau “tërmeti”.
Por në fakt, ata i vrau Drejtësia jonë e para vettingut, me korrupsionin, me pangopshmerinë e saj, që ka lejuar të ekzistojnë ato banesa, që nuk i rezistuan tërmetit.
E kjo gjëmë do të ishte shumë më e madhe, mbase prej qindra jetë njerëzish, nëse qeveria, vetë kryeministri Edi Rama, dhe të tjerët pas tij, të mos kishin ngritur menjëherë të gjithë shtetin në këmbë, duke filluar e para policia, në ndihmë të njerëzve që i zunë përfund ndërtesat me cen, ato poshtërsi të lejuara nga Drejtësia jonë para vettingut, ajo e gjithë këtyre viteve të kaluara, me gjyqtarë e prokurorë, e me të gjitha hallkat e saja të korruptuara. Janë të gjitha ndërtesat ose jashtë standardit ose të cenuara, ato ku u vranë njerëzit, pothuaj të gjitha kanë pasur histori ankesash të qytetarëve tek Drejtësia.
E këto ankesa, kanë dështuar para mbrojtjes korruptive të “esnafit të Drejtesisë para vetting”, këtij tarikati të krimit, që ishte bërë i paprekshëm në kullën e tij të “pavarësisë” nga … ligji. Kemi një KÇK sot, por kishin një klan të tërë prokurorësh e gjykatësish, në shërbim të ndërtuesve abuzivë.
Kësaj here shteti, shoqëria jonë, shumicë dhe opozitë së bashku, duhet të analizojnë çdo rast të ndërtesave ku humbën jetën ata 32 vetë: kush i projektoi, kush i miratoi lejet e ndërtimit, kush i zbatoi, kush i mbikëqyri punimet, kush aprovoi të drejtën e përdorimit të atyre ndërtimeve, kush nuk iu përgjigj ankesave të qytetarëve për cenet e ndërtesave e modifikimeve të tyre. Legjislacioni ynë i ka të specifikuara këto veprimeve administrative, kështu që është e lehtë të gjenden emrat konkretë të zyrtarëve fajtorë, ata, që janë përgjegjësit direkt të kësaj gjëme.
Për shumicën e ndërtesave të cenuara, me ambiente në katet e përdhese të modifikuara në lokale etj., ka pasur ankesa nga qytetarët, kallëzime, por që kanë përfunduar në kosh të plehrave nga zyrtarët e Drejtësisë.
Duhet të gjendet e të vihet para Drejtësisë pas vetting, ata prokurorë që pushuan çështjet, apo që ngritën akuza qëllimisht të lehta e anësore, që fajtorët të dilnin të padënuar, apo me dënime qesharake, e ndërtesat të vazhdonin të rrinin si gracka vdekje-prurëse.
Prokurori ka krijuar në dyshe të pazgjidhshme me gjyqtarin, në komplotin e tyre antilogjor, që ka nxjerrë të pafajshëm ata ndërtues e zyrtarë, që kanë bërë të mundur këtë tmerr ndërtesash e modifikimesh të tyre, skandaloze.
Janë qindra raste ku ndërtesa identike në dukje, në të njëjtin vend, njëra ka qëndruar normale, kurse tjetra është rrëzuar, duke marrë jetë njerëzish me vete.
Pra, nuk është se “ishte tërmeti i jashtëzakonshëm”. Jo, intensiteti i tërmetit që ra, nuk justifikonte gjëmën që ngjau: 32 të varë e mbi 600 të lënduar. Ka një shtytje korruptive për ta nxjerrë këtë tërmet, më të keq seç ishte, që të kalojnë lumin fajtorët e vdekjes ë 32 vetëve, dhe plagosjes së qindra vetëve.
Tërmeti në Durrës, ishte diku te 6 – 7 ballë (sipas shkallës evropiane EMS), duke e lexuar vetëm sipas veprimit mbi njerëzit dhe objektet, dhe jo sipas dëmeve që pësuan ndërtesat, sepse do të ishte një absurd ta vlerësonim mbi bazën e tyre, kur bëhet fjalë për ndërtime jashtë standardeve dhe ndërtesave të cenuara!
E mos harroni, në Durrës, që në vitin 1980, ndërtimet ka detyrim ligjor, të jenë për të duruar tërmete 9 ballë e sipër!!!. Nëse do të zbatoheshin kërkesat teknike dhe ligjore, nuk do të kishte asnjë të vdekur nga ky tërmet.