Mandati i Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, e emëruar disa ditë më parë nga Presidenti Ilir Meta, është zyrtarisht i paligjshëm. Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur sot të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për fatin e Marsida Xhaferllarit. KPK (shkalla e parë e Vetingut) ka vendosur që për Marsida Xhaferllari të mos merret një vendim nëse duhet apo jo të konfirmohet në detyrë, pasi subjekti kishte humbur statusin e gjyqtares, për shkak se kishte shërbyer në Ministrinë e Drejtësisë jashtë afatit që parashikohet në ligj.
Xhaferllari e kundërshtoi këtë vendim. Ajo i kërkoi Kolegjit të Apelimit ta konfirmojë në detyrë. Por, Kolegji sot vendosi të lërë në fuqi vendimin e KPK, duke e lënë Xhaferllarin pa Veting.
Vendimi i sotëm e bën automatikisht të paligjshëm mandatin e Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Një nga kriteret që duhet të plotësojë kandidati dhe anëtari i Kushtetueses është kalimi me sukses i Vetingut.
Me vendimin e Kolegjit, Xhaferllari nuk ka një vendim se ka kaluar me sukses Vetingun, çka e bën të papajtueshëm funksionin e saj me ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Mbetet për t’u parë lëvizja e Presidentit Ilir Meta pas këtij vendimi, nëse do të njohë mbarimin e mandatit për Xhaferllarin siç veproi në rastin e Besnik Muçit apo do të mbrojë Xhaferllarin pa Veting në Kushtetuese.
VENDIMI I PLOTE I KOLEGJIT
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Ina Rama relator, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.29/2019, datë 30.05.2019, për ankimin e subjektit të rivlerësimit Marsida Xhaferllari, kundër vendimit nr. 115, datë 11.03.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 4 pika 6 e ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe në nenet 451 germa “b” e nenit 463 të Kodit të Procedurës Civile, me shumicë votash, vendosi:
Pushimin e shqyrtimit të çështjes në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Marsida Xhaferllari kundër vendimit nr. 115, datë 11.03.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për shkak të tërheqjes së ankimit.
Të deklarojë marrjen e formës së prerë të vendimit nr. 115 datë 11.03.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Marsida Xhaferllari.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 27.11.2019. /e.s/