Nga zona e Thumanës në Durrës, një nga më të prekura nga tërmetet e kësaj të marte, kryedemokrati Lulzim Basha foli për ditë të zeza për kombin tonë.
Ai ftoi gjithë ata qytetarë që kanë mundësi të ndihmojnë të prekurit nga tërmetet, që ta bëjnë.
Basha tha se ka kërkuar në mënyrë të përsëritur shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa pë sot kjo gjendje është shpallur, ai u shpreh “më mirë vonë se sa hiç”.
Por ai kërkoi që gjendja e jashtëzakonshme të mos mbetet në letër dhe se janë pesë detyra konkrete që kërkojnë angazhim urgjent.
“Së pari përfundimi i operacioneve për nxjerrjen e viktimave nga rrënojat. Dhjetëra qindra familje të pastreha, kanë nevojë për mbështetje reale. Moti është i ftohtë, s’mund të mbeten në çadra, në apartamente për një afat minimumi 6 mujor. U shpreh mirënjohjen hotelierëve që kanë vënë në dispozicion hotelet e tyre. Kjo është e pamjaftueshme, duhet që qeveria të marrë masa dhe ti vendosë në apartamente të pajisura dhe të kenë mjaftueshëm para për një jetesë normale. Këta njerëz kanë humbur shtëpitë e tyre. Prioriteti i dytë të mos ketë më njerëz në çadra por të strehuar për një periudhë minimumi 6 muaj”, deklaroi Basha.
Ai shtoi se mësim i madh dhe pika e tretë, është që ne nuk kemi struktura të specializuara për këtë gjendje, ndaj shprehu mirënjohjen për gjithë punonjësit, por tha se e kemi parë me sytë tanë që punonin me duar pasi nuk kishin dorashka dhe blerja e pajisjeve, trajnimi i tyre, është emergjencë, në mënyrë që të jenë gati për çdo fatkeqësi natyrore.
Basha kërkoi si pikë të katërt që të merren masa të menjëhershme për të gjitha objektet e shkatërruara apo dëmtuara si dhe të evidentohen objektet në rrezik.
Si pikë të fundit, kryedemokrati kërkoi që të merren masa për informim për të larguar panikun nga njerëzit se cilat janë zonat në rrezik dhe çfarë masash duhen marrë në rast tërmetesh.
/a.r