Si pasojë e lëkundjeve të tërmetit të rënë mëngjesin e sotëm dy gra kanë humbur jetën nga shembja e pallatit ku banonin anë Thumanë.
Lajmi konfirmohet për ATSH-në nga Ministria e Mbrojtjes, e cila thekson se viktima sapo u nxor nga rrënojat.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes deri tani në Thumanë dhe Kurbin janë shënuar tre viktima.
Ministria e Mbrojtjes në një bilanc paraprak tha se deri tani janë 3 viktima, një në Kurbin hedhur nga banesa prej panikut dhe dy gra humbën jetën nga shembja e pallatit në Thumanë.
Ndërkohë, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ndodhet në Thumanë, ndërsa shtabet e emergjencave ne Durrës e Krujë po punojnë për nxjerrjen e banorëve nga rrënojat.
Lëkundje të forta tërmeti u ndjenë sot rreth orës 03 e 55 minuta në Tiranë. Sipas të dhënave paraprake nga Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, raportohet se tërmeti ishte me magnitudë 6.3 ballë. Epiqendra e tërmetit ishte 10 kilometra nga Durrësi dhe 31 kilometra nga Tirana.