Presidenti Ilir Meta pasditen e sotme ka pritur në një takim rreth 70 minuta Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë për t’i informuar për “situatën e rëndë të funksionimit të shtetit ligjor që rrezikon izolimin e vendit”. Takimi filloi në orën 17:00 dhe përfundoi në 18:05. Në përfundim, Besnik Mustafaj deklaroi se takimi ishte i dobishëm, ndërsa Presidenti tha ai, i kishte njohur me informacione konfidenciale.
“Jemi gati t’i përgjigjemi çdo ftese, kjo është brenda statutit tonë dhe shpreh vullnetin për të qenë të dobishëm. Ishte takim i dobishëm, pasi presidenti na njohu jo vetëm me informacionet e bëra publike, por edhe konfidenciale lidhur me krizën që po kalon vendi në mungesë të Gjykatës Kushtetuese. Ishte takim i hapur ku jo vetëm e dëgjuam por edhe i thamë mendimet tona” tha ai.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë është një organizatë e pavarur, jo fitimprurëse, themeluar së fundmi nga një grup ish-ambasadorësh, president i të cilit është Besnik Mustafaj, ish-ambasador i Shqipërisë në Francë dhe ministër i Jashtëm në qeverinë “Berisha”.
Gjatë javës së kaluar, Presidenti Meta zhvilloi takime me kreun e PD-së dhe partive të tjera në opozitë, ish-presidentët, si dhe me Shoqërinë Civile. /e.s/