Bashkia Lezhë ka vendosur të rikthejë çmimin letrar “At Zef Pllumi” në memorialistikë dhe publicistikë, çmim i krijuar nga ish-Komuna Shëngjin në vitin 2011.
Në këtë kuadër, të gjithë autorët dhe botuesit që do të duan të marrin pjesë në këtë konkurs ftohen që të dorëzojnë pranë bibliotekës së qytetit, ku do të jetë vendosur juria, dy kopje të librave konkurues deri në datë 13 dhjetor 2019.
Po kështu, të interesuarit kopjet e librave mund t’i dërgojnë dorazi ose me postë në adresën e Bibliotekës “Gjergj Fishta”.
Pas vlerësimit të aplikimeve, do të mbahet edhe ceremonia e shpalljes së fituesve të çmimeve më 21 dhjetor në qytetin e Lezhës. /e.s/