Nëntori i librit, një javë pas panairit. Kjo ka qenë tema e diskutimit në emisionin “Java në RTSH” të premten mbrëma.
Të ftuar në panelin me analistët Preç Zogaj e Lorenc Vangjeli ishin botuesit Bujar Hudhri e Aida Baro, kreu i Bibliotekës Kombëtare Piro Misha si dhe blogerja Ines Ibrahimi.
Duke u ndalur te panairi që lamë pas, Baro tha se ka nevojë që evenimenti të analizohet për të përmirësuar organizimin vitin e ardhshëm.
Ajo shtoi se shumë lexues u shprehën të kënaqur gjatë vizitave në stenda, me sugjerimet e shtëpive botuese.
Ndërkohë që për Piro Mishën, në Shqipërinë e sotme mungon organizimi i shkrimtarëve në një shoqatë, për t’i adresuar problematikat në mënyrë të unifikuar.
“Durrësi sot është qyteti i dytë në Shqipëri. Por që fatkeqësisht nuk ka një librari moderne prej 30 vitesh” – ngriti shqetësimin Misha.
Për botuesin Bujar Hudhri, problematikat me botimet kanë nevojë për një debat publik të zgjeruar. Ai tha se fatkeqësisht ngjarjet politike e sfumuan Panairin e Librit 2019.
Ndërkohë, blogerja Ibrahimi tha se të rinjtë e interesuar për titujt e rinj e shohin panairin si një festë. Ajo shtoi se blogu ia ka shtuar optimizmin teksa sheh të rinjtë që kanë interes pvr librin. Por ajo u shpreh se vendi ka nevojë për një librari moderne.